Mjekët rusë kryen me sukses një operacion zemre të hapur mbi një pacient pavarësisht nga një zjarr që shpërtheu në spital, njoftoi të premten agjencia e lajmeve Interfax.
Mjekët heronj nuk e ndalën operacionin pavarësisht nga zjarri në spitalin në Blagoveshchensk, në Lindjen e Largët të Rusisë.
”Ata u larguan nga ndërtesa e djegur sapo përfundoi operacioni”, theksoi raporti.
Gjendja e pacientit ishte e qëndrueshme pas procedurës dhe ai u dërgua në njësinë e kujdesit intensiv të një spitali tjetër.
Çatia e ndërtesës kishte marrë flakë, shkaku i së cilës aktualisht nuk dihet.
Sipas autoriteteve të qytetit, më shumë se 100 njerëz u shpëtuan dhe askush nuk u lëndua.