Histori Tiranë 1950: Robi gjerman i Luftës njofton se po bëhet gati të...

Tiranë 1950: Robi gjerman i Luftës njofton se po bëhet gati të kthehet në shtëpi

Nga Armand Plaka

Ka shfrytëzuar në maksimum hapësirën që pjesa e pasme e një kartoline të lejonte për të përcjellë sa më shumë informacione e mesazhe që mundte. E shoh pikërisht me këtë sy këtë prurje, teksa kam hasur një kartolinë të një ish-të burgosuri gjerman lufte, drejtuar familjes së tij në Gjermani në vitin 1950.

Në fakt janë dokumentuar disa të tilla (në pronësi të familjarëve dhe pasardhësve të tyre) të dërguara në harkun kohor 1948-1950, kur situata kishte nisur të lehtësohej disi falë disa marrëveshjeve mes ish-BRSS dhe Gjermanisë apo Aleateve në lidhje me trajtimin e robërve të Luftës.

Në këtë kuadër, operohej me anë të Kryqit të Kuq (shqiptar në këtë rast) për përcjelljen e letërkëmbimit mes tyre dhe familjarëve në Gjermani. Zakonisht përcilleshin drejt Hungarisë si fillim e prej andej në Gjermani.

Sidoqoftë, përmbajtja e kësaj kartoline – që vjen për herë të parë për publikun shqiptar – ka vlera të veçanta, pasi aty zbulojmë veç pyetjeve të zakonshme për shëndetin, p.sh. edhe se “ushqimi ishte i mirë” dhe se subjektit në fjalë, një gjermani, familja e të cilit jetonte në rrethinat e Hanoverit, dhe robërve të Luftës që po vuanin dënimin në Shqipëri, u ishte premtuar pikërisht atë ditë që ai po shkruante këtë kartolinë, se do të imbarkoheshin brenda dy-tri javëve në një port të Shqipërisë e do niseshin për në destinacionet përkatëse.

Kësisoj, shkruesi me emrin Rudi Luesch, njoftonte i ngazëllyer se shpresonte që me mbërritjen e kartolinës, me shumë gjasa do të gjendej edhe ai vetë më në fund në shtëpi, (ose rrugës për në shtëpi).