Autoriteti i Informimit të Dosjeve të Sigurimit të Shtetit i tregoi Top Channel inicialet e 30 spiunëve dhe bashkëpunëtorëve të institucionit më famëkeq të komunizmit. Dy prej tyre, me inicialet Gj.Sh. dhe I.M. ndodhen në Akademinë e Shkencave.
Ka qenë vet institucioni më i lartë intelektual shqiptar që ka kërkuar informacion. Por këtë të mërkurë, TCH pyeti pranë këtij institucioni që nuk ka asnjë drejtues për shkak të reformimit. Ndërsa sekretari organizativ, Vasil Tole, është në ditën e tij të fundit të punës, pasi i mbaron mandati.
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka numrin më të madh të verifikimeve nga Autoriteti i Dosjeve. 234 punonjës të shërbimit diplomatik janë kontrolluar me kërkesë të vet Ministrisë dhe 7 kanë dalë me probleme për lidhjet e tyre me Sigurimin e Shtetit.
Edhe Ministrisë së Jashtme i kërkuam informacion, nëse 7 ish-spiunët janë ende në punë. Përgjigjja e tyre ishte se këtë proces e ndjekin institucione të tjera kompetente.
Ish-spiunët e Sigurimit të Shtetit janë edhe në universitete. Dy persona me inicialet A.M. dhe I.K. ndodhen në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës. Drejtuesit e këtij fakulteti kanë në dorë përgjigjen e Autoritetit të Dosjeve me emrat e ish-spiunëve.
Për shkak të ruajtjes së privatësisë, askush nuk konfirmon emrat e plotë të 30 ish-spiunëve, që janë zbuluar se janë ende në administratën e lartë shtetërore. Tri dekada pas rënies së komunizmit, degët e organit më famëkeq të asaj kohe, Sigurimit të Shtetit, nuk janë prerë të gjitha.
Zyrtarë që në të shkuarën e tyre kanë hedhur firmat për persekutimin e të tjerëve gjatë komunzmit vijojnë ende punën në administratën e lartë shtetërore.