Kreu i Komitetit të Përhershëm të Shërbimeve Inteligjente në Senatin amerikan, Mike Turner vizitoi të mërkurën Shqipërinë.
Turner, që mban njëkohësisht edhe postin e zv.kryetarit të Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, u takua me kryeministrin Edi Rama, ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi, shefin e Shtabit, Arben Kingji dhe deputetet Mimi Kodheli dhe Jorida Tabaku.
Vizita e Turner në Shqipëri mbërrin disa ditë pas arrestimit të dy shtetasve rusë dhe një ukrainasi, që po gjykohen në akuzat e spiunazhit në vend.
Vetë profili i takimeve që senatori ka zhvilluar, por edhe zhvillimi i kësaj vizite jashtë vëmendjes së publikut nënkupton se kjo çështje është diskutuar me autoritetet shqiptare.
Sa u takon hetimeve ndaj rusëve, gjykata e Elbasanit ka vendosur arrest me burg për të ndaluarit. Prokuroria tha se ka prova që ngrenë bindjen e arsyeshme se aktiviteti i tyre në Shqipëri nuk ishte për turizëm, por për spiunazh.
Prokuroria tha se për shkak të natyrës së provave, nuk i bën publike.
Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar qesharake ‘të mendosh se rusët dhe ukrainasi po bënin spiunazh në Uzinën e Gramshit’. Ai tha se kjo uzinë është deklasifikuar që në 2012, por shtoi se duhen hetuar qëllimet e vërteta të të ndaluarve.