Sport Paredes: Juvja, skuadra e ëndrrave të mia. Prej kohësh doja që të...

Paredes: Juvja, skuadra e ëndrrave të mia. Prej kohësh doja që të vija këtu

Pas ekzaminimeve mjekësore dhe vendosjes së firmës mbi kontratë, Leandro Paredes ka dhënë intervistën e tij të parë si lojtar i Juventusit.

“Jam i lumtur që jam te Juventus së bashku me këtë grup të madh dhe këtë klub. Kam dashur të vij këtu prej një kohe të gjatë”, shpjegoi për median përforcimi i ri i Juventusit. “Juve është një ekip ëndrrash – shtoi ai -. Unë kisha mundësi të vija në Torino edhe në të kaluarën, por këtë herë nuk doja ta humbisja këtë mundësi. Ose Juventus ose asnjë skuadër tjetër i kisha thënë të afërmve dhe miqve të mi”. Premtimin e mbajti.

Me bardhezinjtë Paredes do të mbajë fanellën me numër 32. Një zgjedhje nga zemra.

“Zgjodha 32 sepse është një numër që më pëlqen shumë – shpjegoi mesfushori -. E kam përdorur te Boca, Empoli dhe Roma. Është një numër që e mbaj prej një kohe të gjatë dhe që e kam përdorur shumë”.

Më pas disa fjalë për miqësinë me Di Marian: “Ne kemi një marrëdhënie miqësore. Njihemi dhe takohemi prej shumë vitesh. Jo vetëm ne të dy, por edhe familjet tona. Duke qenë këtu me të, në këtë ekip, është diçka e veçantë”.

Në fund edhe një koment në lidhje me rikthimin në Itali dhe objektivat e tij.

“Unë ende mund të rritem dhe dua të rritem. Në futboll mund të mësosh diçka të re çdo ditë. Kam ardhur për të fituar dhe i di qëllimet e klubit. Shpresoj të jap kontributin dhe ndihmën time për ekipin”, përfundoi Paredes.