Vaksinimi masiv ka nisur të jap frytet në Britaninë e Madhe, atje ku pas restoranteve dhe bizneseve, është futbolli ai që po provon të rikthejë normalitetin.
Klubi i Tottenham është i pari që ka vendosur të hedhë në treg abonimet sezonale të tifozëve për kampionatin e ardhshëm. Prej datës 12 prill “Spurs” do të nisin procesin e rinovimeve të atyre që paguan për të ndjekur ndeshjet e sezonit që lamë pas, por që për shkak të pandemisë nuk arritën dot.
“Shumë prej jush gjatë kësaj periudhe na kanë shkruar sesa shumë i mungojnë stadiumet dhe të përjetuarit të ndeshjeve me tifozët e tjerë. Mezi presim t’ju japim mirëseardhjen sërish në shtëpinë tonë”, lexohet në komunikimin e Tottenham që jep dhe detaje për mënyrën se si fansat anglezë do të rimbursohen në rast se Covid-19 do të jetë sërish pengesë dhe qeveria angleze do të bëjë prapakthehu në rihapjen e plotë të stadiumeve.
Admiruesit e futbollit në Mbretërinë e Bashkuar do të mund të rikthehen prej këtij sezoni në impiantet angleze. Tifozët e Tottenham por jo vetëm, do të kenë mundësinë të ndjekin prej 25 prillit në finalen e Kupës së Ligës në Wembley, atje ku skuadra e Jose Murinhos sfidon Manchester City-in.
Rreth 8 mijë persona do të jenë prezentë në këtë finale ndërkohë që një numër edhe pak më i lartë fansash do të mund të rikthehet në stadiume nga data 17 maj, atëherë kur mbetet vetëm java e fundit e Premier League për t’u luajtur.