Frederik Stamati, mjeshtri i restaurimi sjell sot historinë, shkurt, të flamurit me te cilin Themistokli Germenji shpalli Krahinën autonome të Korçës.
“Më 10 dhjetor 1916 u nënshkrua një protokoll zyrtar midis përfaqësuesve shqiptarë të kryesuar nga Themistokli Gërmenji dhe kolonelit Dekoen, komandanti francez i zonës së Korçës, sipas të cilit zona e Korçës shpallej krahinë autonome. Në një nga pikat e protokollit përcaktohej edhe flamuri i krahinës autonome, që do të ishte flamuri shqiptar në të cilin do të bashkëngjitej një shirit me të tria ngjyrat e flamurit francez. Po atë ditë në ballkonin e ndërtesës së famshme, kati i dytë i së cilës u shemb misteriozisht ca kohë më parë, u ngrit nga Themistokli Gërmenji flamuri shqiptar. Flamuri qëndroi gjatë në ballkonin e shtëpisë ku u ngrit. Kur u largua nga Korça francezi Dekoen e mori flamurin me vete, për ta kthyer më vonë, kur në Shqipëri të krijoheshin mundësitë për ta vendosur në muze. Për këtë bisedoi paraparakisht edhe me përfaqësuesit e Korçës”, thekson Stamati.
Sipas tij, në vitin 1922 filloi së funksionuari Muzeu Kombëtar.
“Drejtori i muzeut i dërgoi një letër Dekoen me kërkesën për ta kthyer flamurin. Pati një korrespondencë të gjatë zyrtare, derisa u vendos që flamuri të kthehej në Shqipëri. Atë e solli në dhjetor të vitit 1922 Justin Godart”, shprehet Stamati.
Stamati tregon se puna për identifikimin e tij mori më shumë se 20 vjet.