Kosova SHBA përgëzon Kosovën për hartimin e listës së të përfshirëve në akte...

SHBA përgëzon Kosovën për hartimin e listës së të përfshirëve në akte terroriste

Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, përmes një postimi në rrjetin social Twitter, përgëzoi Kosovën për vendimin që të hartojë listën e personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste, të cilat do t’u nënshtrohen masave kufizuese në territorin e vendit.

Bolton shkroi se “Shtetet e Bashkuara përgëzojnë përcaktimin e Kosovës që ta cilësojë Hezbollahun si një organizatë terroriste. Ky zgjatim terrorist iranian vazhdon të kërcënojë qëndrueshmërinë në Lindjen e Mesme dhe në gjithë botën. Bota po njeh mbështetjen terroriste të Iranit dhe emërtimin e përfituesit kryesor të tij: Hezbollahun”.

Javën e kaluar, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një dekreti kërkoi nga institucionet e sigurisë që të hartojnë një listë dhe masat kufizuese ndaj personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste.

Dekreti i presidentit që hyn në fuqi menjëherë, kërkon nga institucionet vendase të sigurisë që deri te hartimi i listës, Kosova të zbatojë listën e Bashkimit Evropian të personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste, që është rifreskuar në janar të këtij viti.

Në listën e Bashkimit Evropian për zbatimin e masave specifike për luftimin e terrorizmit gjenden 21 grupe apo etnitete dhe 15 persona.

Dekreti u mbështet nga sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, i cili shkroi dy ditë më parë po ashtu se “Shtetet e Bashkuara mirëpresin përcaktimin e Hezbollahut si organizatë terroriste nga autoritetet e Kosovës.

“Hezbollahu me mbështetjen e Iranit vazhdon të organizojë sulme në Evropë. U bëj thirrje të gjithëve t’i bashkohen Kosovës dhe të ndalin këtë grup terrorist që të financojë operacionet e përgjakshme”, shkroi sekretari Pompeo.

Kosova është pjesë e koalicionit global kundër terrorizmit, ndërsa është përqendruar për një kohë të gjatë në ndërprerjen e valës së luftëtarëve të huaj dhe pengimin e financimit të grupeve terroriste.