Stephanie Grisham, zëdhënësja kryesore e Zonjës së Parë të Shteteve të Bashkuara, Melania Trump, është emëruar sekretare e re e shtypit e Shtëpisë së Bardhë.
Zonja e Parë e bëri këtë njoftim në Twitter, duke thënë se ajo “nuk mund të mendojë për ndonjë person tjetër më të mirë për t’i shërbyer administratës dhe vendit tonë.”
Presidenti Donald Trump njoftoi në fillim të muajit se sekretarja e shtypit prej një kohe të gjatë, Sarah Sanders, po planifikonte të largohej.
“Sarah Huckabee Sanders jonë e mrekullueshme do të largohet nga Shtëpia e Bardhë në fund të muajit dhe do të kthehet në shtetin e madh të Arkansasit”, tha Presidenti Trump në Twitter. “Ajo është një person shumë i veçantë me talente të jashtëzakonshme, që ka bërë një punë të pabesueshme!”
Zonja Sanders e cilësoi detyrën e saj si Sekretare Shtypi e Shtëpisë së Bardhë, si “nderin e jetës së saj”, duke shtuar se: “E kam dashur çdo minutë të punës sime – madje edhe minutat e vështira”.
Sanders ka qenë një nga ndihmëset më të besueshme të presidentit gjatë punës të saj në krahun perëndimor të Shtëpisë së Bardhë, që nga fillimi i presidencës Trump, duke u rritur në pozitë, nga zëvendës sekretare e shtypit kur zëdhënësi kryesor ishte Sean Spicer.
Sanders ka qenë një mbrojtëse e fuqishme e presidentit të shumëdebatuar dhe shpesh është ndeshur me gazetarët që mbulonin Shtëpinë e Bardhë, gjatë konferencave të lajmeve të debatueshme, duke i dënuar ata për mbulimin e ngjarjeve në këndvështrim negativ për Presidentin Trump dhe duke u përpjekur të korrigjojë ato që ajo i konsideronte si gabime në raportimin e tyre.
Komentatorët e kanë kritikuar atë për dëmtim të kredibilitetit të saj në emër të një shefi të pazakontë, që kryen rregullisht sulme verbale kundër armiqve politikë, qeverive të huaja dhe gazetarëve dhe që vazhdimisht e ka etiketuar shtypin si “armikun e popullit”.
Konferencat e shtypit, dikur një ngjarje e rregullt dhe popullore në kanalet e lajmeve televizive pasdite, u bënë gjithnjë e më të rralla dhe u zhdukën krejtësisht gjatë tre muajve të fundit. /VOA