Një nga anëtarët e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Andi Koraqi në një nga mediet e vendit deklaroi se stina e ngrohtë ul transmetueshmërinë e koronavirusit, por jo agresivitetin e tij.
Sipas tij, kjo do të thotë nga një person i prekur infektohen më pak persona sa do të mund të prekeshin zakonisht.
“Stina e ngrohtë në të gjitha virozat resipiratore ndikojnë, se vijnë gjithmonë në mot të ftohtë, vjeshtë-dimër dhe në fillimpranvere. Stina e ngrohtë ndikon, se ul transmetueshmërinë, jo agresivitetin e virusit. Ka teori të ndryshme se nuk e dimë si sillet fiks virusi në temperatura të larta. Ka studime që thonë se virusi inaktivizohet në 56 gradë, të tjerët në 30 gradë, e vështirë për ta përcaktuar, por ka evidenca që edhe në vendet e ngrohta ka pasur raste”, u shpreh Koraqi.
Sipas mjekut, kurba në Shqipëri paraqitet e qëndrueshme, ku gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar vetëm 4 raste pozitive.
“Numri i të prekurve nuk shkon paralelisht me numrin e analizave. Numri i të prekurve ka rënë, numri i analizave duhet të rritet. Kemi kaluar nga një survejancë pasive, në një survejancë aktive”, shtoi ai.
Ai është ndalur edhe tek testet serologjike, që kanë nisur prej pak javësh, qëllimi i të cilave është për të kuptuar se kush e ka kaluar koronavirusin. Sipas mjekut fillimisht do të testohen bluzat e bardha, që janë rreth 6500, dhe më pas në varësi të rezultateve do të vendoset nëse do të shtrihet në popullatë.
“Analizat serologjike, përcaktimi i antitrupave, kanë filluar, kalohet në disa faza. Validimi i testit, duke qenë se janë teste të reja. OBSH rekomandon validimin e testit. Tani kemi filluar me testimin e personelit shëndetësor, po ecën me ritme të kënaqshme, janë rreth 6500 personel mjekësor dhe pasi të mbarohet ky testim, atëherë do të vendoset nëse do të shtrihet në popullatë. Duhen bërë analizime brenda disa parametrave, duhet survejancë, gjurmim, pastaj analizim. Nuk mjafton një analizë serologjike”, theksoi Koraqi.