Bota Stoltenberg: Gati të presim Maqedoninë e Veriut në NATO

Stoltenberg: Gati të presim Maqedoninë e Veriut në NATO

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u prit me ceremoni të larta shtetërore dhe ushtarake para selisë së qeverisë në Shkup. Ai arriti të dielën në Shkup për takimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut me Komitetin për integrim të Maqedonisë së Veriut në Aleancë, i pari i këtij lloji që mbahet në republikën ish-jugosllave.

Sekretari Stoltenberg tha se janë të dukshme përfitimet e Maqedonisë së Veriut nga afrimi në NATO sepse investimet në vend po rriten dhe se kjo tregon se siguria mundëson bazën e mirëqenies, sipas tij.

Ai nënvizoi nevojën për vazhdimin e reformave në shërbimin e inteligjencës, në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë së këtij vendi.

“Vizita jonë dërgon një mesazh shumë të qartë Ne jemi të gatshëm të ju mirëpresim në familjen e NATO-s”, tha Sekretari Stoltenberg.

Ndërkohë, kryeministri maqedonas Zoran Zaev arritjet që i ka shënuar vendi drejt integrimit në Nato, i quajti merita të të gjithë politikanëve dhe qytetarëve që nga pavarësia e vendit e këndej:

“Rezultat i punës së të gjitha institucioneve dhe profesionistëve të të gjitha fushave”.

Ai theksoi se anëtarësimi në Nato është vendim strategjik i Maqedonisë së Veriut i vërtetuar përmes rezolutës në parlament qysh në vitin 1993.

Kryeministri Zaev bëri të ditur se që prej marrjes së ftesës për anëtarësim në Aleancë, të ardhurat e brendshme bruto janë shtuar rreth 5.5 përqind.

Shkupi shpreson se në takimin e nivelit të lartë të Natos në dhjetor në Londër do të bëhet anëtar fuqiplotë i Aleancës veriatlantike, por zoti Zaev thotë se nëse s’bëhet në dhjetor, “atëherë përfundimisht në fillim të vitit të ardhshëm”.

Zaev nuk dyshon se Turqia e konsideruar si vend mik, do ta vonojë ratifikimin e protokollit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO për shkak të hatërmbetjeve eventuale lidhur me disa persona të cilët Ankaraja i cilëson si gylenistë ose pjesëtarë të organizatës Feto e që qëndrojnë dhe punojnë në Maqedoni.