Thomas Strakosha drejt Premier Leagues. Është i bindur tabloidi britanik “The Sun”, që raporton se gardiani 26-vjeçar shqiptar nuk ka ndërmend të rinovojë me Lazion dhe po përgatitet për t’u larguar me parametra zero në fund të sezonit.
Megjithatë largimi nga kryeqyteti i Romës mund të vijë që në janar, pasi klubi i Newcastle është vënë në lëvizje dhe ka treguar gatishmërinë për të paguar edhe një shifër simbolike në arkat e Lazios, për ta marrë menjëherë portierin.
Klubi anglez ka kaluar në pronësinë e fondit arab, PIF dhe pritet të investojë fuqishëm për të shmangur rënien nga Premier League e më pas nga sezoni i ardhshëm për të synuar ngjitjen në vendet e kreut të renditjes.
Pikërisht Strakosha duket emri i përzgjedhur për portën, pasi bëhet fjalë për një portier të talentuar, që ka një eksperiencë të konsiderueshme si me Lazion, ashtu edhe me kombëtaren shqiptare, pasi numëron 16 ndeshje zyrtare me fanellën kuqezi.