Bota New Jersey rizgjedh si 97-vjeçarin Vito Perillo: Kush është kryebashkiaku më i...

New Jersey rizgjedh si 97-vjeçarin Vito Perillo: Kush është kryebashkiaku më i vjetër i Amerikës

“Puna më mban të gjallë”, thotë kryebashkiaku italo-amerikan i Tinton Falls, që në fund të mandatit do të jetë 101 vjeç dhe deri para 4 vitesh nuk kishte asnjë eksperiencë politike. Nuk mban asnjë dietë të veçantë, por luan gol dhe shkon në palestër dy herë në javë.

Andrea Marinelli Corriere della Sera

Kur në vitin 2019, Ciriaco De Mita u rizgjodh në moshën 91-vjeçare si kryetar bashkie në Nusco, në Irpinian e Epërme, (Itali), u fol për një mrekulli të politikës, e cila mban gjallë trupin dhe veçanërisht shpirtin.

Ish-kryeministri italian, megjithatë, ishte në hapat e fundit të një karriere të pafund, ndërsa rasti aktual i Vito Perillos, i rizgjedhur kryebashkiak i Tinton Falls, një qytet i New Jersey (SHBA) të martën në moshën 97-vjeçare, sapo ka nisur.

I lindur në lagjen e famshme Bronks në vitin 1924 nga prindër italianë, Perillo mundi tre sfiduesit dhe u konfirmua si kryebashkiaku më i vjetër në Amerikë në zgjedhjet e fundit administrative.

Kur mandati i tij i dytë të përfundojë në vitin 2025, ai do të jetë 101 vjeç. “Unë pyesja veten pse njerëzit votuan për mua”, shkroi ai në Facebook të mërkurën, ndërsa guvernatori demokrat, Phil Murphy, 20 minuta larg Asbury Park, ende nuk ishte i sigurt nëse do të fitonte.

“Ndoshta sepse jam veteran i Luftës së Dytë Botërore, ose një zotëri i moshuar… Shpresoj që jo. Por ndoshta ata kanë lexuar fletushkat e mia elektorale, kanë parë rezultatet e katër viteve të fundit, ose kanë dëgjuar se sa shumë kujdesem për këtë qytet dhe banorët e tij”.

Ish-inxhinier elektrik në Departamentin e Mbrojtjes, në pension që nga viti 1980, Perillo u zgjodh për herë të parë në vitin 2017, pak vite pas vdekjes së gruas së tij, Mamie, me të cilën ishte i martuar për 64 vjet, pa përvojë politike.

Ai kishte trokitur në çdo derë në Tinton Falls, qytet me 18,000 banorë dhe 75 kilometra larg Newark-ut, duke “konsumuar” dy ​​palë këpucë, duke premtuar uljen e taksave – ato në pronat e New Jersey janë më të mëdhatë në Amerikë – dhe restaurimin e një departamenti policie të goditur nga skandale të ndryshme (në SHBA, janë kryebashkiakët e qyteteve ata që zgjedhin krerët e policisë lokale).

Ai nuk mendoi se kishte ndonjë shpresë, përkundrazi, çuditërisht fitoi me 53% të votave ndaj kryetarit të bashkisë në largim, Gerald Turning, një njeri i angazhuar në politikën lokale për njëzet vjet. Pak kohë më parë, ai kishte pyetur për sekretin një ish-kryetar bashkie, i cili i ishte përgjigjur: “Vito, duhet të ecësh”.

Dhe ai vijoi me fjalën e tij. “Ne nuk shikonim ndonjë motiv për të dërguar fletëpalosjet tona të fushatës elektorale kur i shpërndanim për njerëzit”, – tha për gazetën amerikane “New York Times” shefi i fushatës, Steve Leech, një punonjës i postës në pension dhe fqinji i kryebashkiakut për 30 vjet.

“Sidoqoftë, këtë vit nuk mund të eci më si dikur”, tha Perillo për revistën “People”, duke pranuar se ai shpërndau 4,000 fletushka dhe dërgoi 2,000 të tjera derë më derë në shtëpitë e njerëzve.

Këtë herë, megjithatë, ai ishte i bindur se mund t’ia dilte, e ndërtoi fushatën mbi sukseset e tij – u kurseu qytetarëve 380 dollarë në taksat e pronës për çdo milion dollarë, shtroi mbi 15 kilometra rrugë dhe trotuare, instaloi një semafor “shumë të dëshiruar” dhe inauguroi një park – dhe në fund, fitoi me 38% të votave, 2.209 kundër 1.898 të mësueses në pension, Ellen Goldberg.

“Ai nuk dëshiron të njihet si kryebashkiaku më i vjetër, por thjesht si një kryebashkiak i mirë”, – tha vajza e tij, Anna Mae Perillo për gazetën “Washington Post”.

I regjistruar në partinë Republikane, por që e ka votuar vetëm një herë, Perillo është i pavarur dhe shkon çdo ditë në zyrë duke ngarë një automjet “Honda Accord”, i veshur me kostum dhe kravatë.

Çdo të mërkurë, drekon mbesën e tij, Marlana 28-vjeçare (ka 4 mbesa dhe 6 stërnipër), nuk ka dieta speciale për shëndetin e tij, por luan golf dhe shkon në palestër dy herë në javë.

“Unë e dua punën time, – thotë ai. – Më mban gjallë, më mban të eci”. Nëse arrin të përfundojë mandatin e tij, Perillo do të bëhet gjithashtu kryebashkiaku më i vjetër në historinë amerikane, të paktën sipas asaj që njihet, duke kaluar Charles Long nga Booneville, Kentucky, i cili vdiq në vitin 2019 ndërsa ishte në detyrë, tre muaj para se të mbushte 100 vjeç.

Megjithatë, argumenton ai, nuk do të kërkojë një mandat të tretë. “Oh jo, kam mbaruar…”, iu përgjigj ai batutave nga “NJ Advance Media”. “Do të më duhet pak kohë për veten time“.