Është Thomas Strakosha fitues i anketës së futbollistit të javës U-23 të Gazzetta dello Sport. Portieri shqiptar i Lazios ishte protagonist me pritjet e tij në fitoren 3-0 në derbin me Romën.
“Gardiani” kuqezi fitoi konkurrencën e Jeremie Bogas të Sassuolos (bëri paraqitje shumë të mirë ndaj Milanit) dhe të Ignacio Pussettos të Udineses.
Pritjet e Strakoshës i kanë bindur lexuesit se është edhe meritë e tij që Lazio arriti një fitore të thellë në derbi, duke e ruajtur të paprekur portën.
Dy janë momentet vendimtare ku spikati Strakosha: në reagimin e tij ndaj goditjes së Edin Dzekos dhe kur arriti të devijonte trajektoren e jashtëzakonshme të Florenzit.