Kryeministri Edi Rama në bashkëbisedimin që zhvilloi me qytetarët në rrjetet sociale konfirmoi se në fundjavë do të rikthehet bllokimi total i lëvizjes ashtu edhe si javën e kaluar.
Nga e premtja në orën 17:30 deri të hënën në orën 05:00 të mëngjesit të gjithë duhet të qëndrojnë në shtëpi, përveç atyre që duhet të shkojnë në punë.
“Për nesër, të shtunë dhe të diel njësoj si fundjavën e kaluar, përveç atyre që shkojnë në punë. Jemi në një situatë pozitive, por kjo është e përmbysshme nëse ne e lëshojmë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se u konfirmua dhe frika e tij për personat që ktheheshin nga Greqia duke iu referuar personit të parë të prekur me Covid-19 që po qëndron në karantinë në hotel.
“E patë që një nga ata që u kthyen nga Greqia rezultoi me koronavirus, po të kishte shkuar në shtëpi do kishte shtuar dhe një vatër tjetër në Përmet. Nëse do të hapnim kufirin nuk do të kishim këtë situatë”, tha Rama.
Shefi i qeverisë theksoi se strategjia e hapjes është një strategji, e cila është vlerësuar edhe nga ekspertët gjermanë.
“E thashë dhe pak ditë më parë, ne kemi një strategji hapjeje të vlerësuar dhe të aprovuar nga ekspertët tanë. Dje kemi pasur një bashkëbisedim jashtëzakonisht të dobishëm falë kancelares gjermane, me kërkesën time që na vuri në dispozicion grupin e ekspertëve gjermanë, dhe po ju them edhe njëherë: mos përdorni shembujt kot më kot, dhe po ju garantoj se edhe me ekspertët gjermanë kemi konfirmuar drejtësinë dhe saktësinë tonë për masat e marra dhe për testet”, tha Rama.