Opinione Studentët dhe Hamleti i dialogut

Studentët dhe Hamleti i dialogut

Nga Gjergji Kajana*

Protesta e studentëve është në përmbajtje e drejtë: kushtet e përgjithshme të arsimit universitar në Shqipëri janë të pakënaqshme. Në një shoqëri të një vendi në zhvillim të kesh një diplomë të djersitur nuk është “status symbol” por nevojë për një punësim e të ardhme dinjitoze. Pasja e kësaj nevoje duhet të shoqërohet me kushte dinjitoze të zhvillimit të karrierës universitare. Këto kushte mungojnë.

Protesta po i shpëton politizimit. Nuk lindi vetëm si revoltë ndaj pagesës për kreditet e prapambetura por prej vetëdijes se cilësia e kushteve universitare nuk justifikon vlerën monetare të derdhur në emër të mbylljes së ciklit të lartë. Cilësia e produktit njerëzor universitar duhet të paktën të jetë mesatare, ndërsa janë të shumta rastet e të diplomuarve pa merita që punojnë në vende që duhet të jenë rezervat i të diplomuarve të shkëlqyer.

Shoqëria shqiptare është transformuar fuqishëm në dekadën e fundit. Dalja progresive e vendit prej skamjes së viteve ’90 ka imponuar për shumë të rinj nevojën e pasjes së këtij shkollimi të lartë cilësor. Ky është një domosdoshmëri për të bërë para në një treg pune në mbushje e sipër – të paktën në numra – me arrivistët e kohës së re. Në vazhdimin e progresivitetit të zhvillimit ekonomiko-social rritet dëshira për t’u dalluar, ashtu siç edhe rriten sakrificat për t’ia arritur këtij qëllimi. Vullneti i ri arrivist ndeshet me problemet e jetesës dinjitoze për të mundësuar kurorëzimin e përpjekjeve. Revolta e ka zanafillën këtu.

Jetoj në Itali. Në 2012-n bëri bujë në anën italike të Adriatikut diploma shumë pak e kristaltë e birit të themeluesit të partisë Liga e Veriut, parti kundër emigracionit. Ishte marrë në Tiranë (natyrisht blerë) prej një italiani që s’kishte shkelur në vendin tonë e kishte “dhënë” provimet në shqipen që nuk e njihte. Ja degjenerimi i sistemit universitar privat krijuar pas vitit 2000: një Vaterlo besueshmërie.

Nuk jetoj prej shumë vitesh në Shqipëri. Besoj se diçka ka ndryshuar prej 2012-s në transparencën e sistemit universitar. Por sigurisht jo mjaftueshëm sa për të evituar që kjo revoltë e këtyre 10 ditëve të vazhdojë edhe pasi kryeministri shqiptar shprehet 361 gradë i gatshëm për dialog. Studentët në protestë – ata të cilët i rezistojnë tundimit depërtues të politikës së keqe mishëruar nda opozita pa tru PD-LSI – nuk po realizojnë një Dhjetor ’90 të dytë. Nuk e duan këtë. Duan thjesht të realizojnë një qëllim të atij Dhjetori (që nisi si revoltë studentore): afrim si Evropa në arsim. E vetmja mënyrë për t’ia arritur është të pranojnë dialogun e ofruar nga Rama e Nikolla dhe të shprehin në detaj kërkesat në një tryezë të hapur bisedimesh.

Dhjetori ’18 po konfirmon, nga ana sociale, faktin se po ndryshon në vendin tonë qasja e protestës. Nuk ka më rivendikime të forta politike si deri në protestat nga ’90 e deri tek 21 Janari 2011. Mungon dhuna, përveç ndonjë episodi shumë sporadik. Kjo qasje e përgjegjshme është një fillim për t’i kthyer studentët– të paktën në nivelin e ekselentëve mes tyre – në dialogues po aq të përgjegjshëm. Gjithashtu edhe zgjidhës problemesh.

Nëse nga kjo protestë nuk del një platformë e përbashkët qeveri-studentë për trajtimin gjithëpërfshirës të çështjes universitare në Shqipëri Dhjetori ’18 do të jetë një shans i humbur. Vullneti dialogues i qeverisë është baza që duhet t’i bindë studentët se në tryezë do të merren seriozisht. Kërkesat maksimaliste (“Plotëso 8 pikat ose nuk lëmë sheshin”) vonojnë zgjidhjen dhe nuk ndihmojnë kauzën e rritjes së nivelit logjistiko-material e cilësor të arsimit universitar në vend. Marrëveshjet e kanë çelësin e zgjidhjes tek detajet e këto përcaktohen në tryezë.

Në Shqipëri politika gëzon statusin e kumarxhiut rrenacak. Kjo sepse nuk ka adresuar drejt për të paktën dy dekada problemet e thella të vendit: varfëria, paligjshmëria, kultura politike në nivele tribale, korrupsioni, shkatërrimi i mjedisit. Dhe natyrisht arsimi. Por sot, në epokën e revoltës së re studentore, politika po jep mundësinë e shtrimit të një tryeze të pasur me menu cilësore. Pjatë kryesore është adresimi për problem-zgjidhje i sallatës së prishur të arsimit universitar.

A lihet bosh kjo tryezë?

 

*Diplomuar në Shkenca Politike e Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin “La Sapienza” të Romës