Në masterin Shkencor Financë në Fakultetin e Ekonomisë, Zhdanova dallon për rezultate të larta.
Studentja e ekselencës, që gjatë sistemit parauniversitar në vendlindje, Mirditë, i vendosi objektiva vetes, të cilat i ka arrirë. Dhe sot ajo është përfituese e reduktimit të tarifës së shkollimit, që për studentët me mesatare 9-10 të Masterit është lehtësim.
“Tarifa vjetore është diku tek 1 milionë e 50 të vjetra dhe shkon diku tek 525 mijë që duhet të paguhet në përfundim të ciklit”, tregon studentja.
Ndërsa Aneli është student i vitit të dytë në degën e Financës. Zhvendosja nga Berati në kryeqytet për studime i rriti shpenzimet, ndaj reduktimi i tarifës 50% për të dhe familjen e tij është ndihmë. Tani ka për të paguar vetëm 17 mijë e 50 lekë, ndërkohë që bursa e dhënë për studentët ekselentë dhe përjashtimi totalisht nga tarifa e motivon për të rritur mesataren 8.7 që e ka aktualisht.
“Përfitimi i bursës mujore është një shtysë për mua që të arrij rezultate akoma më të mira vitin tjetër”, shprehet studenti.
Protesta, mendojnë studentët, vuri në lëvizje të gjitha institucionet për të përmbushur kërkesat e tyre, megjithëse për disa janë ende në pritje të realizohen.
“Kam qenë edhe unë pjesë e protestës dhe besoj se disa pika që janë ngritur ishin të drejta, por kjo normalisht rrit dhe përgjegjësinë e studentëve. Ndaj, jo vetëm duhet të marrësh dhe të përfitosh, por edhe duhet të japësh”, thotë Zhdaneva.
Ndërsa Aneli thekson: “E doja dhe unë një arsim më të mirë, salla dhe auditore më dinjitoze dhe gjithashtu më është dukur se figura e studentit nuk ka qenë mjaftueshëm e vlerësuar, gjë që ndryshoi pas protestës së studentëve”.