Qeveria publikoi të enjten paketën e masave financiare për të plotësuar kërkesat e protestës së studentëve në arsimin e lartë publik lidhur me tarifat e studimit.
Ani Ruci*
Paketa e qeverisë, e paraqitur nga Arben Ahmetaj, Ministër i Financave dhe i Ekonomisë, në seancën plenare të Parlamentit (20.12) përmban heqje / përgjysmim tarifash për studentët e ekselencës dhe për ata nga familjet me ndihmë ekonomike. “Më 1 janar 2019 subvencionojmë tarifat e studimit. Studentët e ekselencës do të subvencionohen totalisht nga buxhet i shtetit. Për të kryer studimet ata nuk do të paguajnë asnjë tarifë dhe do të kenë edhe një bursë mujore prej 10 mijë lekësh (80 Euro). Edhe studentët që vijnë nga familje të varfëra, që marrin ndihmë ekonomike, nuk do të paguajnë asnjë tarifë dhe do të kenë të njëjtën bursë mujore. Kurse për studentët e tjerë, tarifa e studimit do të përgjysmohet”, theksoi Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj.
Por përtej tarifave të studimit protesta e studentëve tregoi pakënaqësinë e tyre të thellë nga Ligji i Arsimit të Lartë, i miratuar në vitin 2015, i cilësuar si një ligj që godet arsimin e lartë publik dhe sidomos cilësinë e tij. Rritja e cilësisë së arsimit, marrja e dijeve për të qenë pasdiplomimit të aftë të konkurrojnë në tregun e punës është një nga kërkesat kryesore të studentëve protestues. Silvi Dallani, studente në Fakultetin e Shkencave të Natyrës tha për DW “Duam dije që të kemi mundësi të punësohemi dhe të jetojmë në vendin tonë”.
Sipas një sondazhi të Qendrës për Studime Sociale dhe Ekonomike, me seli në Tiranë, 57% e grupmoshës 18-40 vjeç dëshirojnë të largohen nga Shqipëria për shkak të pakënaqësisë nga arsimi i lartë dhe pamundësisë për të gjetur punë pas diplomimit.
Kryeministri Edi Rama, e vlerësoi të enjten (20.12) protestën e studentëve si: “pikënisjen e një kapitulli të ri në qeverisjen e socialistëve”. Kapitulli i ri, lidhur me studentët, nuk ka të bëjë vetëm me tarifat e studimit apo përmirësimin e kushteve të jetesës në kampuset universitare. Por më shumë se kaq. Fjala është për vlerat universitare, për cilësinë e dijes që marrin studentët në auditore, çështje që kryeministri e ka theksuar në të gjitha ftesat e tij për të dialoguar me studentët protestues. Ende është e paqartë nëse hapja e kapitullit të ri do të thotë edhe hartim i një ligji të ri të arsimit të lartë. Protesta e studentëve tregoi qartë se ligji ekzistues nuk i plotëson kërkesat e rinisë, madje është në konflikt me to. Studentët kanë paralajmëruar se do të rifillojnë protestën e tyre në janar për plotësimin e tetë kërkesave, plotësim i të cilave kërkon ndryshimin e ligjit të arsimit të lartë. Kryeministri Rama ka këmbëngulur se qeveria është gati të plotësojë të gjitha kërkesat e studentëve, por pasi të dialogojë me studentët.
Opozita sërish në parlament
Protesta e studentëve ka rikthyer opozitën në Parlament, pas gjashtë muajsh bojkoti, që nga korriku i këtij viti. Por kontributi i deputetëve demokratë opozitarë në dialogun e kërkuar me maxhorancën për plotësimin e kërkesave të studentëve nuk ndodhi. Deputeti i PD Endri Hasa qëlloi me vezë kryeministrin Rama, kur ai nisi fjalën e tij në foltoren e parlamentit, gjë që e përjashtoi deputetin opozitar 10 ditë nga punimet e parlamentit. Studentët që e vazhduan protestën të enjten (2012) para parlamentit deklaruan se: “janë kundër çdo lloj akti dhune”. Protesta e studentëve, gjatë pothuaj katër javëve të zhvillimit të saj ia doli mbanë të shmangë akte dhune. Por nuk ia doli mbanë të shmangë politizimin e saj dhe përdorimin nga opozita, militantë të së cilës iu bashkuan asaj duke u hequr si studentë. Për vetë studentët zhvillimi paqësor i protestës, e pa dirigjuar nga partitë politike por nga vetë studentët është një tregues se Shqipëria po ndryshon.
*DW