Studentët kanë paralajmëruar rinisjen e protestave ditën e sotme, pas ndërprerjes për afro dhjetë ditë ne rastin e festave të fundvitit.
Para nisjes së protestës së sotme, studentët u mblodhën mbrëmjen e kësaj të diele në Qytetin Studenti, për të vendosur ecurinë e protestës.
Kështu ditën e sotme ata do të mblidhen rreth orës 08.00-09.00 pranë fakulteteve të tyre për të vijuar më tej me protestën para Kryeministrisë në orën 10.00.
Studentët kanë ftuar në protestë të gjithë qytetarët që duan të protestojnë për të drejtat e tyre.
Sa i përket paktit me universitetin, lançuar nga kryeministri, studentët nuk shprehen të kënaqur dhe thonë se nuk është zgjidhur asnjë prej kërkesave.
Protesta nuk do të ketë një afat, studentët shprehen se ajo do të përfundojë në momentin që kërkesat të marrin zgjidhje, po ashtu nuk përjashtojnë mundësi për përshkallëzim.
Organizatorët kanë vendosur të rikthehen me moton e re PROSTUDENTO.