Një gabim njerëzor në Itali bëri që një 23 vjeçare të merrte menjëherë 6 doza të vaksinës së kompanisë Pfizer.
E reja është shtruar në spitalin “Noa” në Massa Carrara dhe po mbahet në kontroll të rreptë nga mjekët. “Kam frikë dhe më dhemb krahu. Mjekët nuk e dinë se çfarë pasojash do të kem. Nuk do të bëj denoncime penale, por mund të hap padi ndaj spitalit”, shprehet vajza.
Nga sa raportohet vajza 23-vjeçare mori vaksinën në spital dhe më pas shkoi në shtëpi. Por, pas disa orësh vaksinuesit kishin konstatuar se asaj i ishte bërë një shishe e tërë vaksine që korrespondon me 6 doza të Pfizer.
Menjëherë mjekët e morën në telefon dhe duke qenë se ishte një rast i pa hasur më parë vendosën që ta shtrojnë në spital për ta mbajtur në kontroll. Fatmirësisht deri tani, 23-vjeçarja nuk ka shfaqur asnjë simptomë apo alergji.
“Fola me mamanë time dhe ramë dakord që nuk do të bëj asnjë kallëzim penal. Këto janë gjëra që mund të ndodhin, të gjithë gabojnë, nuk ishte me dashje. E lexova në sytë e infermieres që më bëri injeksionin. Unë jam mjaft mirë, por kam dhimbje dhe mjekët nuk mund të më thonë se çfarë mund të ndodhë”, tha 23-vjeçarja.
Më përpara janë kryer studime se si një person mund të reagojë pas një mbidoze me vaksinën “Pfizer”, mirëpo maksimumi i numrit të dozave të testuara ishte katër.
Raste mbidoze me vaksinën Pfizer-BioNTech janë raportuar më parë në Gjermani, Australi dhe SHBA.