Aktualitet Studentja shqiptare arrin të “arratiset” nga Wuhani, mbërrin në Shqipëri

Studentja shqiptare arrin të “arratiset” nga Wuhani, mbërrin në Shqipëri

Një studente shqiptare që jetonte në Kinë ka arritur të largohet nga Wuhani, qyteti i futur i pari në karantinë pasi është epiqendra e përhapjes së koronavirusit.

Televizioni A2 bën të ditur se ajo ka mbërritur në Shqipëri pasi ka kaluar të gjitha testet dhe ka rezultuar që nuk është e infektuar. Megjithatë, ajo po mbahet në monitorim nga autoritetet shqiptare.

Në 24 orët e fundit kanë hyrë në Shqipëri 5 shtetas shqiptarë dhe kinezë që kanë udhëtuar nga Pekini dhe Shangai drejt Tiranës, nëpërmjet aeroporteve të Romës, Milanos dhe Stambollit. Gjendja e tyre shëndetësore paraqitet e mirë.

Një tjetër studente shqiptare në Wuhan, Silvana Doçi, ka kërkuar mediatikisht që të evakuohej prej andej, por për momentin nuk ishte e mundur.

Wuhani është qyteti që ka numrin më të lartë të rasteve të koronavirus, me mbi 100 vdekje të konfirmuara.

Ambasada jonë në Kinë konfirmon se deri më sot nuk ka asnjë të infektuar shqiptar. Nga rreth 400 shqiptarë që ndodhen në Kinë, rreth 60 janë studentë.