Pas izolimit për dy javë rresht në një spital në Turqi, studentja shqiptare Silva Doçi ka dalë sot nga Karantina, pasi nuk rezultoi e prekur nga koronavirusi. Studentja u evakuua nga autoritetet turke së bashku me disa 41 qytetarë të tjerë nga epiqendra e koronavirusit në Wuhan.
Ministri turk i shëndetësisë tha sot se asnjë prej tyre, 32 shtetas turq, gjashtë nga Azerbajxhani, 1 shqiptare dhe tre gjeorgjianë nuk treguan asnjë shenjë të koronavirusit vdekjeprurës.
“Në përputhje me rekomandimet e Komitetit Shkencor të Turqisë, 42 personat ishin vendosur në karantinë për 14 ditë dhe tani janë larguar nga spitali”, u tha gazetarëve Ministri i Shëndetësisë Fahrettin Koca.
Ministri tha se janë bërë teste të shumta për të siguruar që asnjë prej tyre nuk ishte bartës i koronavirusit të ri, i njohur si “Covid-19”.
Silvia u evakuua nga Wuhani me një aeroplan special ushtarak të dërguar nga Turqia më 1 shkurt.
“Kjo javë ka qenë e qetë, në ditët e para duke përjetuar gjithçka të re për mua, duke u përshtatur me ndryshimin e orës e duke i kushtuar vëmendje procesit të karantinës e tani disi e mësuar me rregullin e çdo dite”, tha studentja shqiptarë në një intervistë për “Top Channel” disa ditë më parë. “Mbikëqyrjen e mjekëve do ta ndaja në dy lloje, në ditët intensive dhe ditët e qeta. Në ditët intensive ne i nënshtrohemi analizave që duhen për të përcaktuar nëse dikush është bartës apo jo i virusit (intensive nuk do të thotë e lodhshme këtu, nuk do të thotë se ne lodhemi nga vëzhgimi e kontrollet, thjesht bëhen disa analiza që specialistët, edhe unë më parë, i kemi përmendur; si analiza gjaku, analiza te sekrecioneve të fytit, grafi e mushkërive, kontrolli i frymëmarrjes etj). Këto dite intensive janë të rralla”, shtoi ajo
Sipas “Anadoly Agency”, stafi mjekësor, personeli ushtarak dhe reporterët që ishin pjesë e misionit të shpëtimit dolën më herët nga karantina në 11 shkurt.
Sipas Komisionit Kinez të Shëndetit, numri i viktimave nga koronavirusi ka arritur në 1.381 ndërkohë që ai i të infektuarve ka arritur në 63,851 raste.
Virusi është përhapur në më shumë se 20 vende, por vetëm tre viktima janë raportuar jashtë Kinës, një në Japoni, Hong Kong dhe Filipine.
Organizata Botërore e Shëndetit e ka shpallur shpërthimin e virusit një emergjencë globale shëndetësore.