Antitrupat e COVID-19, proteinat që ndihmojnë njerëzit për të luftuar virusin, zgjasin të paktën 4 muaj. Ky është rezultati i një hulumtimi të gjerë të disa shkencëtarëve nga Islanda.
Rezultatet e këtij hulumtimi janë inkurajuese për përpjekjet për gjetjen e një vaksine, qëllimi i së cilës është të krijojë një përgjigje imunitare të trupit të njeriut në mënyrë që ky i fundit të prodhojë antitrupa për t’u mbrojtur nga virusi.
Autorët e hulumtimit kanë analizuar mbi 30 mijë islandezë, teksa rreth 15 për qind e popullsisë në vend është testuar për coronavirus.
Rreth 90 për qind e personave që kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 (afërsisht 2 mijë persona) kanë pasur antitrupa edhe 120 ditë pas infektimit.
Çka është më e rëndësishme, personat të cilët kanë qenë të shtruar në spital me simptoma më të rënda kanë zhvilluar antitrupa më shpejtë sesa rastet më të lehta të infektimit.
Imuniteti është paraqitur si më i lartë dy muaj pas diagnostikimit me koronavirus, shkruajnë shkencëtarët.
Ky studim vjen në kuadër të debatit nëse personat që e kanë kaluar virusin mund të infektohen për herë të dytë, teksa disa studime sugjerojnë se antitrupat veniten me shpejtësi.
Deri më tani janë të paktën dy raste infektimi për së dyti të raportuara nga shkencëtarët duke përfshirë një 33-vjeçar nga Hong-Kongu.