Javën e kaluar, në një konferencë për shtyp që do të mbetet në librat e historisë, kryeministri Boris Johnson shokoi botën duke deklaruar që Britania e Madhe nuk do të merrte masa drastike për të përballuar koronavirusin, dhe se britanikët duhet të përgatiteshin të shihnin “disa nga të afërmit e tyre të vdisnin”.
Strategjia, e kritikuar nga shumëkush, merrte parasysh idenë imunizimit në grup i tërë popullsisë, dhe do të lente pas vetëm, pashmangshmërisht, personat me problematika më të rënda.
Por pak ditë më vonë, strategjia e Londrës zyrtare ka ndryshuar katërçipërisht, duke u përafruar me masat europiane. Ky ndryshim i madh, që padyshim vë në pozitë të vështirë Johnson, vjen nga një report tejet dramatik për pasojat e qasjes së mëparshme të një prej mendjeve më të ndritura të universitetit Imperial College, profesor Neil Ferguson.
Ferguson është një nga ekspertët më të njohur në botë për projektimin e përhapjes të epidemive. Profesori përllogariti që mos marrja e masave të shmangies sociale do të të infektonte rreth 80% të popullsisë.
Kjo do t’i kushtonte vendit të paktën 250 mijë viktima, me pikun që do të arrihej në fundin e qershorit, ku mund të arrihej shifra horror e 13 mijë të vdekurve në ditë, me impakt të paparashikueshëm tek popullsia në panik, por edhe në strukturat shëndetësore që sigurisht do të kolapsonin tërësisht.
Fakt akoma më i rëndë viktimat i referohen vetëm koronavirusit, por ndoshta dhjetëra mijëra do të ndërronin jetë nga sëmundje të tjera që nuk do të kuroheshin dot në spitale nga mbipopullimi.
Padyshim, një skenar ndaj të cilit asnjë qeveri në botën perëndimore nuk mund t’ i mbijetonte.
Tashmë me masat e reja, qeveria mendon të ulë numrin deri në20 mijë, edhe pse vetë raporti paralajmëron që mutacione të mundshme të koronavirusit mund ta ndryshojnë agresivitetin e tij, në të mirë por edhe në të keq, dhe se masa të rrepta do të duhet të merren periodikisht në një periudhë të paktën 18-mujore kur virusi të rikthehet, deri sa të dalin vaksinat e para.