Të sëmurë pas perfeksionit. Të lindurit pas viteve ’80 janë të obsesionuar me të përkryerën, kjo në çdo aspekt të jetës.
Ky është përfundimi i një studimi të fundit të kryer nga Universiteti Saint John i York-ut, në Britaninë e Madhe, dhe Universiteti Dalhousie, në Kanada. Rezultatet e studimit janë botuar në revistën “Personality and Social Psychology Revieë”.
Studimi është një analizë e 77 studimeve që përfshijnë një total prej 25 mijë njerëzish (të moshës 15 deri 49 vjet, rreth 2/3 e të cilëve janë gra) dhe nxjerr në pah se përsosmëria është rritur në mënyrë dramatike gjatë 25 viteve të fundit, duke ndikuar njësoj si te meshkujt, edhe te femrat.
Dy autorët e studimit, Simon Martin dhe Sherry M. Smith, thonë se të rinjtë e sotëm janë më të perfeksionistë se kurrë.
Perfeksionizmi është rritur që nga viti 1990. Kjo do të thotë se të lindurit pas vitit 1980 e kërkojnë më shumë se gjeneratat e mëparshme.
Shkaqet e perfeksionizmit janë komplekse sipas studiuesve. Një prej tyre është fakti se bota sa vjen e bëhet gjithnjë e më shumë konkurruese, ku prejardhja sociale dhe performanca kanë më shumë rëndësi, ndërsa fitorja dhe interesi personal janë theksuar.
Edhe prindërit, të cilët ushtrojnë shumë kontroll dhe janë kritikë, mund të nxisin zhvillimin e dëshirës për perfeksion; dhe në fund nuk duhet lënë në harresë as pasha e madhe që kanë mediat sociale, ku janë pa fund postimet që tregojnë jetën joreale “të përsosur”.
E gjithë kjo do të thotë se brezi i lindur pas vitit ’80, i njohur ndryshe si millennials, janë të rrethuar nga shumë parametra që matin suksesin ose dështimin e tyre.
Sipas studiuesve, ka një mënyrë për ta kuruar këtë dëshirë të shfrenuar për të përsosurën. Studiuesit rekomandojnë që prindërit duhet të jenë më pak kritikë dhe kontrollues, t’u mësojnë fëmijëve të tyre të tolerojnë dhe të nxjerrin mësime nga gabimet, duke theksuar se sa i rëndësishëm është angazhimi për atë që besojmë në krahasim me të qenit në kërkim të përsosmërisë”.