Personat e infektuar me koronavirus ka më shumë të ngjarë që ta transmetojnë virusin në 5 ditët e para nga shfaqja e simptomave, thuhet në një studim të ri shkencor.
Autorët e këtij studimi, botuar dhe në revistën mjekësore “The Lancet Microbe”, janë shprehur se gjetjet e arritura theksojnë nevojën për identifikimin dhe izolimin e hershëm të personave që kanë rezultuar pozitiv me coronavirus.
Zbulimi i periudhës më ngjitëse të virusit është i një rëndësie kritike në mënyrë që të merren për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të COVID-19.
“Gjetjet tona janë në një linjë me studimet për gjurmimin e rasteve të cilat sugjerojnë se pjesa më e madhe e transmetimit viral ndodh në fazat e para, veçanërisht 5 ditë nga shfaqja e simptomave, çka është një tregues i qartë i rëndësisë të vetizolimit menjëherë pas dallojmë simptomat”, thotë autori kryesor Dr. Muge Cevik nga Universiteti St Andrews në Skoci.
Ky hulumtim, ndër më gjithëpërfshirësit pasi bëjnë pjesë edhe 98 studime të tjera, analizon tre llojet e koronaviruseve tek njerëzit – SARS-CoV, SARS-CoV-2, and MERS-CoV – dhe ngarkesën e tyre virale. Prej këtyre, COVID-19 ka rezultuar si më infektues në 5 ditët e para të shfaqjes së simptomave.
Ndërsa në trupin e njeriut materiali gjenetik i COVID-19 është zbuluar në mostrat e frymëmarrjes dhe jashtëqitjes për disa javë, studiuesit shprehen kjo nuk përbën më shkak për shqetësimin pasi nga mostrat e zbuluara ka rezultuar se virusi nuk është i gjallë.
Megjithatë, autorët shprehen se ka disa kufizime në studimin e tyre, si për shembull janë analizuar mostrat e atyre personave që kanë qenë të shtruar në spital dhe për rrjedhojë kanë marrë një sërë medikamentesh që kanë ndikuar në uljen e transmetimit të virusit.
Gjithashtu, në studim nuk janë përfshirë personat asimptomatikë për shkak të të dhënave të kufizuara mbi ta, por Dr. Cevik shprehet se edhe ata janë rrezik për transmetimin, por për një periudhë më të shkurtër kohore.