Mësuesit u japin vajzave nota më të larta se djemtë, sipas një studimi të ri të botuar në British Journal of Sociology and Education.
Studiuesit analizuan rezultatet e provimeve për nxënësit e klasës së 10-të që përfshinin jo pak, por afërsisht 40,000 kampione.
Ata zbuluan se kur rezultatet u vlerësuan në mënyrë anonime, vajzat shënuan më lart në gjuhë dhe djemtë shënuan më lart në matematikë. Ndërkohë, kur mësuesit e vlerësonin testin në mënyrë jo anonime, ata vlerësonin vajzat më tepër në të dyja lëndët.
Pse ndodh kjo? Studiuesit thonë se mund të ketë një paragjykim ndaj djemve, sepse ata kanë më pak gjasa të jenë të sjellshëm apo të organizuar në klasë.
Një dekurajim i tillë tek djemtë mund të ketë një efekt aspak të mirë në zhvillimin e tyre psiko-emocional. Ja pse një libër i shkëlqyer për këtë temë është ai i vitit 2000 i titulluar ‘Raising Kain’ nga Dan Kindlon, Ph.D., and Michael Thompson Ph.D të dy profesorë në Universitetin e Harvardit dhe psikologë për fëmijët me emër në SHBA, të cilin shumë shtëpi botuese e kanë konsideruar si një lexim të domosdoshëm për prindërit e djemve.
Ndërkohë, për t’u kthyer tek studimi.
Disa nga gjetjet e tij, në fakt, sugjeronin se mësuesit e gjinisë mashkullore kishin më pak gjasa t’i mbivlerësonin vajzat dhe se ishin mësueset gra ato që i vlerësonin studentet vajza më tepër se studentët djem.
Kjo nuk është hera e parë që ky problem është identifikuar në qarqet shkollore, gjë që ka shtyrë edhe fushata të ndryshme të cilat ftojnë më tepër djem të zgjedhin karrierën e mësuesisë e cila momentalisht është e dominuar nga gjinia e kundërt.
Një tjetër faktor i rëndësishëm që i ka inspiruar fushata të tilla ka qenë edhe ulja në rezultatet e përgjithshme të djemve në sistemin shkollar si në ciklin e ulët dhe në atë universitar.
Sipas gjetjeve të studimit, “vlerësimet e mësuesve për studentët nuk marrin në konsideratë vetëm kompetencën e tyre akademike, por ato janë të mbushura gjithashtu me konsiderata sociale që lidhen me karakteristikat individuale të mësuesit dhe nxënësit, ndërveprimet e tyre dhe kontekstin përreth.
Qëllimi i këtij punimi është të kuptojë shkallën në të cilën mësuesit i vlerësojnë vajzat më bujarisht se djemtë, dhe cilat karakteristika të mësuesve dhe klasave ka të ngjarë të zvogëlojnë këtë hendek të vlerësimit gjinor. Rezultatet tregojnë se, kur krahasohen nxënësit që kanë kompetenca identike për lëndën, mësuesit kanë më shumë gjasa t’u japin nota më të larta vajzave. Për më tepër, ata demonstrojnë për herë të parë se ky standard i vlerësimit që favorizon vajzat është sistematik, pasi karakteristikat e mësuesit dhe klasës luajnë një rol të papërfillshëm në uljen e tij.”
Gjatë shekullit të fundit, ekzistenca e boshllëqeve të lidhura me gjininë në rezultatet arsimore është demonstruar gjerësisht pothuajse në mbarë botën (Goldin, Katz dhe Kuziemko 2006), dhe boshllëqet gjinore në arritjet arsimore janë ndër temat më të diskutuara në fushën e studimeve arsimore. Në mënyrë tipike, kur krahasohen rezultatet e testeve të standardizuara në shumicën e vendeve të OECD, vajzat i kalojnë djemtë në shkencat humane, gjuhësore dhe aftësitë e leximit, ndërsa djemtë tregojnë rezultate më të mira në matematikë dhe shkenca ekzakte, thuhet ndër të tjera në studim.