Ka pak dëshmi për lidhjen mes sasisë së kohës që adoleshentët kalojnë në ekran dhe mirëqenies së tyre të përgjithshme, flet një studim ri i Oksfordit.
Ky studim thotë se janë ekzagjeruar pretendimet se shëndeti mendor dhe fizik i adoleshentëve mund të dëmtohet nga koha e tepërt që kalohet në ekran.
Lundrimi në internet, qoftë edhe para kohës së gjumit, nuk është dëmtues për shëndetin mendor të të rinjve, thonë autorët e studimit.
Ata ngritën pikëpyetje lidhur me metodologjinë e studimeve të mëparshme.
“Ndërsa psikologjia mund të jetë një mjet i fuqishëm për të kuptuar lidhjen midis përdorimit të ekranit dhe mirëqenies adoleshente, ajo ende nuk arrin të furnizojë palët e interesuara dhe publikun me hetime kualitative, transparente dhe objektive“, tha profesor Andrew Przybylski, Drejtor i Kërkimeve në Institutin e Internetit në Oksford, njëkohësisht bashkautor i studimit.
Ndërsa bashkautori Amy Orben tha se ishte e rëndësishme që studimet të ishin të forta dhe të bënin pyetje të drejta: “Për shkak se teknologjitë janë të përfshira në jetën tonë shoqërore dhe profesionale, hulumtimi në lidhje me përdorimin e ekranit dixhital dhe efektet e tij në mirëqenien adoleshente është në shqyrtim në rritje”.
Studimi i Universitetit të Oksfordit përdori të dhëna nga tre vende – Britania e Madhe, SHBA dhe Irlanda – ku u anketuan 17,000 adoleshentë, dhe përdorën teknika të vetë-raportimit të cilat kërkojnë adoleshentët të regjistrojnë atë që bëjnë në kohë të caktuar.