Një studim i ri ka zbuluar se njerëzit e vaksinuar plotësisht, të cilët më pas infektohen me Covid-19, mund të fitojnë një “super imunitet” ndaj varianteve të ardhshme të virusit, raporton NBC.
Studimi i Universitetit të Shëndetit dhe Shkencës në Oregon, i cili u publikua në Revistën Shkencore të Shoqatës Mjekësore Amerikane, ka zbuluar se antitrupat në mostrat e gjakut të të infektuarve me COVID-19 të cilët e kishin bërë më parë vaksinën, ishin deri në 1,000% më efektive sesa antitrupat e gjetur në mostrat e gjakut të personave jo të infektuar, të marra dy javë pas vaksinimit me Pfizer. Në studim, u mblodhën mostra gjaku nga 52 punonjës të universitetit që kishin marrë vaksinën Pfizer dhe, nga 26 prej tyre që kishin infeksione të lehta, 10 kishin variantin Delta, 9 u përcaktuan me një variant jo-Delta dhe 7 kishin variante të panjohura.
Infektimi i të vaksinuarve “gjeneron një përgjigje të fortë imunitare kundër variantit Delta”, sipas përmbledhjes së gjetjeve, ndërsa studiuesit besojnë se përgjigjja imunitare do të jetë e ngjashme edhe për variantet e tjera, si për shembull Omicron.
“Mendoj se kjo tregon që lojës po i vjen fundi,” tha për NBC 5 bashkautori dhe profesori i asociuar i mjekësisë Dr. Marcel Curlin. “Kjo nuk do të thotë se jemi në fund të pandemisë, por tregon se ku mund të arrijmë: Nëse jeni vaksinuar dhe më pas ekspozoheni ndaj virusit, me siguri do të jeni mjaftueshëm të mbrojtur nga variantet e ardhshme.”
Studimi krahasoi gjithashtu përgjigjen imunitare ndaj një virusi të gjallë të njerëzve të infektuar pas vaksinimit, me përgjigjen imunitare të grupit të kontrollit, duke gjetur se “personat e infektuar pas vaksinimit gjeneruan më shumë antitrupa në fillim” dhe ato antitrupa ishin “veҫanërisht më të mira” në neutralizimin e virusit të gjallë, sipas NBC.
“Çelësi është vaksinimi,” tha Curlin. “Duhet të keni një bazë mbrojtjeje.”
Varianti Omicron nuk u identifikua në mënyrë specifike në studim, por Fikadu Tafesse, autor i lartë dhe asistent profesor i mikrobiologjisë molekulare dhe imunologjisë, tha se autotët e studimit do të “prisnin që infektimet e personave të vaksinuar me variantin Omicron do të gjenerojnë një përgjigje të fortë imunitare.”