Imagjinoni sikur zgjoheni në mes të natës, ndërsa qielli ka marrë ngjyrë të kuqe në jeshile: i vetmi aparat që punon në shtëpi është radioja e vjetër me bateri.
Të gjitha pajisjet e tjera elektronike kanë dalë jashtë funksionit, ndërsa nëse merrni lajme, ato do të flasin për rrëzime avionësh, zjarre, qytete të tëra pa energji elektrike etj.
Mund të mendoni se po përjetoni luftën e tretë botërore. Në fakt nuk është aspak kështu.
Kjo situatë me pasoja të paimagjinueshme e ka origjinën në një stuhi diellore.
Ajo mund ta çojë botën në epokën paraindustriale dhe ta bllokojë për disa muaj, madje vite.
Miliarda protone dhe elektrone
Mund të na duhen dekada për t’u kthyer në kushtet që jemi sot.
Shkak i kësaj katastrofe mund të bëhet një stuhi elektromagnetike, si ajo që në vitin 1859 bllokoi komunikimin telegrafik në të gjithë botën.
Po mund të jetë akoma më e rëndë, shkruan Roger Dube në “The Conversation”.
Profesori i shkencës në Rochester Institute of Technology tregon se çfarë mund të ndodhë nëse një stuhi e kësaj natyre godet planetin sot.
Stuhitë diellore mund të lëshojnë miliarda protone dhe elektrone në një sferë plazme të tejnxehur në sistemin diellor. Ndodh që 1 në 20 nga këto sfera të drejtohen drejt orbitës së Tokës.
Një e treta e shpejtësisë së dritës
Nga pikëpamja shkencore, një stuhi diellore ndodh kur një shpërthim magnetik në shkallë të gjerë, shkakton nxjerrjen e një mase në sipërfaqen e Diellit.
Kjo lëshon në atmosferën e diellit grimca të ngarkuara me shpejtësi shumë të madhe. Grimcat më të rëndësishme, protonet, mund të ecin me shpejtësi sa 1/3 e asaj të dritës, pra 100 mijë km në sekondë.
Me këtë shpejtësi, atyre do t’u duhen vetëm 30 minuta për të mbërritur në Tokë. Ato duhet të kalojnë në magnetosferë, e cila e mbron Tokën nga grimca të tilla.
Pasi hyjnë në këtë shtresë, ato drejtohen në linjat e fushave magnetike në mënyrë të tillë që të arrijnë të hyjnë në atmosferë pranë Polit të Veriut dhe atij të Jugut.
Nëse stuhia diellore është e përmasave të vogla, pasoja do të jetë e ngjashme me stuhinë e vitit 1989, e cila la pa energji për rreth 9 orë 6 milionë njerëz në Kanada. Por nëse stuhia është e madhe, edhe pasojat në Tokë do të jenë të tilla.
Pa energji, ujë dhe internet për vite të tëra
Nëse një stuhi diellore do të ketë përmasat e asaj të vitit 1859, ajo do të “përcëllonte” rrjetet elektrike të të gjithë planetit, do të shkatërronte komunikimet dixhitale dhe analoge, thuhet në një studim të Akademisë së Shkencave në SHBA.
Kjo do të thotë pa drita për vite të tëra, pa internet. Industritë do të ndalojnë, transportet do të bllokohen.
Do të mbaronte nafta dhe benzina e fundit e mbetur në cisternat e pompave që funksionojnë me elektricitet.
Dyqanet nuk do të furnizoheshin me ushqime.
Do të duhej të riktheheshim te toka për të kultivuar vetë ato që do të hamë. Uji nuk do të na vinte në çezmat e shtëpisë dhe do të duhej të ndiqnim lumenjtë.
Do të jetonim pa frigorifer dhe do të gatuanim me zjarr.
Energjia alternative
Vetëm makinat elektrike do të mund të funksiononin, me kushtin që të furnizoheshin nga centrale që përdorin energjinë diellore.
Do të duhej të rindërtonim rrjetin elektrik botëror dhe të kërkonim burime alternative të energjisë si impiantet diellore.
Një stuhi diellore mund të shpërthejë në çdo moment.
Me teknologjinë që sot zotëron njerëzimi, këtë mund ta marrim vesh vetëm 3 ditë para se pasojat të mbërrijnë në Tokë.