Aktualitet Tashmë mund të bëhet rafting edhe në lumin Shkumbin, Balla: Zbuluam një...

Tashmë mund të bëhet rafting edhe në lumin Shkumbin, Balla: Zbuluam një tjetër dimension turistik në Librazhd (FOTO)

Rafting në Shkumbin, Balla: “Zhvillimi i këtij sporti, i rëndësishëm për turizmin”

Tashmë në lumin Shkumbin mund të zhvillohet sporti i rafting, duke e shndërruar Qarkun e Elbasanit në një zonë me potencial turistik për të apasionuarit ndaj sporteve të aventurës. Një grup sportistësh nga ekipi i Rafting Albania ishin këtë fundjavë në provën e tyre të parë në lumin Shkumbin. Prova u kalua me sukses dhe sipas ekspertëve të rafting, në lumin Shkumbin mund të zhvillohet rafting në një nivel mesatar, duke qenë i aksesueshëm jo vetëm nga profesionistë, por edhe nga amatorë të këtij sporti.

Sportistët zhvilluan një takim me Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili është dhe drejtuesi politik i Qarkut të Elbasanit.

Gjatë bisedës Balla theksoi se zhvillimi i këtij sporti është i rëndësishëm jo vetëm për ti shërbyer turizmit të zonës, por edhe si një arsye më shumë për cuarjen më tej të projektit për pastrimin e shtratit të lumit nga mbetjet plastike.

Më tej, Balla u shpreh se së shpejti do të nisi një projekt me qeverine gjermane dhe KfW për rehabilimin e këtij shtrati dhe ujërat e zeza mos të derdhen më në Shkumbin.

“Detyra jonë është që në bashkëveprim edhe me banorët, jo vetëm të pastrojmë atë që kemi akumuluar ndër vite, por edhe të bllokojmë tërësisht hedhjen e mbeturinave, kryesisht plastikë, në brigjet e lumenjve.

Dua t’ju them se lumi Shkumbin është pjesë e një projekti shumë të madh me qeverinë gjermane, KfW, për të ndaluar tërësisht derdhjen e ujërave të zeza që nga qyteti i Prrenjasit deri në qytetin e Librazhdit.

Në mars fillon implementimi i projektit që do të thotë se të gjitha kanalizimet e ujërave të zeza të Bashkisë Prrenjas dhe asaj Librazhd do të administrohen në një njësi të trajtimit të ujërave të zeza. Nuk do të ketë më ujëra të zeza që derdhen në Shkumbin.

Kjo, bashkëshoqëruar me një plan të madh pastrimi të gjithë plastikës së akumuluar ndër vite. Kemi bërë një segment vitin e kaluar të cilin do mundohemi ta vijojmë, kjo do kërkojë dhe vullnetarizëm në fakt.

Duhet edhe solidariteti i banorëve qoftë edhe për të parandaluar akumulimin apo hedhjen e plastikës dhe mbeturinave të tjera”, – deklaroi Balla

Sipas Ballës, së shpejti do të lançohet një projekt për rijetëzimin e Rrugës Egnatia, me qëllim rikthimin e rëndësinë historike që ka pasur.