Ai nuk do të jetë fizikisht i pranishëm, por është e qartë se ndeshja e dyfishtë në mes të Suedisë dhe Italisë, për “play-off”-in e Kupës së Botës 2018 rri pezull në figurën e Zlatan Ibrahimovic, një simbol i futbollit suedez, që luajti për shumë vite në Seria A me fanellat e Juventusit, Interit dhe Milanit.
Sulmuesi i Manchester United, aktualisht jashtë fushave për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju, u intervistua nga “Sky Sport”: “Tani që nuk jam më në ekipin kombëtar, mendoj se Suedia ka shumë më pak presion. Kur isha atje, të gjithë prisnin që ne të mund të fitonim Kupën e Botës apo Europianin”.
Ibrahimovic nuk ka modesti false, teksa pranon: “Nëse kam për të dëgjuar egon time, duhet të përgjigjem se, sigurisht, me mua në fushë, Suedia do të ishte më e fortë. Nëse ka një Ibrahimovic të ri nuk e di, por mendoj se është e vështirë. Fuqia e kësaj kombëtareje në çdo rast është grupi, kolektivi dhe, siç thashë, shansi për të luajtur me më pak presion, thjesht sepse unë jam zhdukur…”
Kur u pyetën se cili është nga ana tjetër, Zlatan Ibrahimovic tek Italia, ai nuk ka dyshime: “Është Marco Verratti, ndoshta lojtari më i fuqishëm i Italisë. Ai ka një talent të jashtëzakonshëm, te PSG-ja është rritur aq shumë, sa mund të bëhet një nga lojtarët më të mirë në botë”.
Ibrahimovic kthehet edhe te “biskota” e pretenduar nga italianët, e vitit 2004, në mes të Suedisë dhe Danimarkës, që eliminoi axurrët nga Europiani: “E vërteta është se kemi luajtur pa paracaktime dhe barazimi 2-2 nuk doli nga një lojë e kombinuar më parë. Unë nuk mund ta lejoja një gjë e tillë, sepse është absolutisht kundër parimeve të mia. Kush më njeh mua e di këtë. Ka pasur shumë fjalë, justifikime apo alibi për të justifikuar eliminimin”.
Së fundi, Ibrahimovic përjashton mundësinë e rikthimit në Kombëtare, nëse Suedia do të kualifikohet për Kupën e Botës 2018: “Tani për tani jam duke menduar vetëm që të vijë sa më shpejt shansi për të luajtur në fushë, jo me Suedinë, apo në Botëror. Historia ime me kombëtaren është e gjatë, unë mund të bëj diçka më shumë, ndoshta edhe më pak, por koha ime me Suedinë përfundoi.”