Ministrja e Jashtme suedeze, Ann Linde deklaroi të premten se zërat se jeta në Suedi gjatë kohës së koronavirusit rrjedh normalisht, janë vetëm një mit.
Suedia ka pasur një qasje të profilit të ulët kundrejt COVID-19 krahasuar me shumë vende të tjera të Evropës, duke u bazuar së pari tek masat vullnetare dhe individuale.
Por ministrja Linde mbajti një konferencë për mediat e huaja për të shpjeguar strategjinë e vendit nordik në përballjen me krizën.
“Zërat se jeta në Suedi rrjedh normalisht janë vetëm një mit. Shumë njerëz po qëndrojnë në shtëpi dhe kanë shmangur lëvizjet, shumë biznese po falimentojnë dhe papunësia do të rritet dramatikisht. Ka një gamë të gjerë rregullash dhe rekomandimesh të reja që prekin të gjithë shoqërinë, përfshirë jetët private të njerëzve. Aktualisht nuk ka një bllokadë të plotë në Suedi, por në shumë zona të vendit njerëzit janë mbyllur”, tha ministrja suedeze.
Vendimi i Suedisë për të luftuar epideminë pa vendosur bllokadën ka shtangur shumicën e vendeve të Evropës. Masat janë fokusuar kryesisht tek izolimi dhe mjekimi i të sëmurëve sesa tek izolimi i shoqërisë.
Suedezët mund të shkojnë në restorante, të presin flokët dhe të dërgojnë fëmijët në shkollë, por grumbullimet me mbi 50 persona janë ndaluar, ndërsa mësimet e shkollave dhe universiteteve janë transferuar online.
Ndryshe nga ministrja, kreu i Agjencisë së Shëndetit Publik të Suedisë, Johan Karlson tha se strategjia suedeze, që synon të minimizojë çrregullimin e jetës sociale dhe ekonomike, ka gjasa të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë.
Ai madje i bëri thirrje njerëzve, sidomos të moshuarve, të dalin dhe të bëjnë ushtrime fizike, pasi kjo i ndihmon në gjendjen e tyre trupore dhe mendore.
“Ne nuk do t’u themi njerëzve të qëndrojnë të mbyllur. Kjo është një pjesë e rëndësishme e politikës sonë. Përkundrazi. Njerëzit duhet të dalin, të bëjnë ushtrime e të marrin ajër, pasi kjo u bën mirë për shëndetin fizik dhe mendor”, u shpreh z. Karlson.
Vendi nordik ka regjistruar deri më 16 prill 1333 vdekje të lidhura me koronavirusin dhe 12540 raste infektimi.