Shtetet e Bashkuara ndërmorën sulme kibernetike ndaj sistemit Iranian të armëve pasi presidenti Donald Trump ndaloi bombardimet ajrore ndaj këtij shtetit.
Kjo konfirmohet nga një raport i Uashingtonit që citohet nga mediat amerikane. Sulmi kibernetik çaktivizoi sistemet kompjuterike që kontrollojnë lëshuesit e raketave dhe predhave, shkruan Uashington Post.
Ky aksion ishte kundërpërgjigje për rrëzimin e një droni amerikan pa pilot si dhe për sulmet ndaj naftëmbajtësve në Gjirin e Omanit. Për këto dy zhvillime, SHBA akuzon Iranin.
“Siç e dini, ne kemi grupin më të fuqishëm të sanksioneve që një vend mund të ketë, por po vendosim në fuqi sanksione të tjera shtesë. Unë di shumë për armët bërthamore, dhe më lejoni t’iu them se Irani nuk do të zotërojë një të tillë”, deklaroi presidenti amerikan Donald Trump.
Ndërkohë, Irani nuk ka reaguar ende lidhur me aksionin kibernetik. Ende nuk dihen pasojat e këtij veprimi, i cili ishte planifikuar prej disa javësh.
Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë rritur ndjeshëm kohëve të fundit.
Irani ka paralajmëruar se me 27 qershor do të tejkalojë kufirin e pasurimit të uraniumit dhe kërkon nga vendet nënshkruese të marrëveshjes bërthamore që të respektojnë ujdinë. Ndërsa Uashingtoni ka premtuar të bëjë çdo gjë për të ndaluar Iranin të zotërojë armë bërthamore.