Lulzim Basha reagoi pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në foltoren e Kuvendit, ku përsëriti edhe njëherë akuzat ndaj Bashkimit Europian se e anashkaloi Ballkanin Perëndimor për çështjen e shpërndarjes së vaksinave.
Numri një i demokratëve u shpreh se BE ka qenë pranë Shqipërisë në ditët më të vështira dhe shtoi se Rama ka zgjedhur të sulmojë të tjerët për keqqeverisjen e tij.
“Shqipëria ka numrin më të lartë të bizneseve të mbyllura në rajon, ka numrin më të lartë të qytetarëve që humbën vendin e punës, ka ndihmën më të vogël ekonomike që një qeveri ka dhënë për qytetarët e saj, ka hajdutërinë më të lartë në Europë ndërsa Tirja në krye të qeverisë si asnjë kryeministër tjetër vazhdon të sulmojë BE-në.
Për 8 vjet mashtrime, dështime, vjedhje, varfëri fajin nuk e ka BE-ja, fajin e ka Tirja i qeverisë që i vjedh shqiptarët dhe u mohon edhe bukën e fëmijëve. Edhe një herë Rama fajëson të tjerët për qeverinë më të keqe në historinë e Shqipërisë.
BE ka qenë dhe është pranë nesh në ditë të mira e të vështira. Mirënjohja e shqiptarëve nuk do të mungojë kurrë. Pas 25 prillit ne do ta rikthejmë Shqipërinë në rrugën e duhur drejt destinacionit tonë të vetëm që është integrimi në BE”, shkruan Basha.