Politika Sulmet kibernetike/ Irani dënon sanksionet amerikane: Shqipëria është viktimë, skenari është krijuar...

Sulmet kibernetike/ Irani dënon sanksionet amerikane: Shqipëria është viktimë, skenari është krijuar nga SHBA

Irani ka dënuar sanksionet e reja ekonomike të vendosura nga SHBA pas sulmit kibernetik ndaj Shqipërisë. Ministria e Jashtme e Iranit, përmes zëdhënësit të saj, thotë se i gjithë skenari është organizuar nga SHBA, ndërsa Shqipëria është “viktimë” në këtë situatë.

“Deklarata e shpejtë e Amerikës për akuzat e pabaza të Qeverisë Shqiptare kundër Republikës Islamike të Iranit dhe veprimi i shpejtë që pasoi për të vendosur sanksione të reja ndaj Ministrisë dhe ministrit të Inteligjencës së Republikës Islamike të Iranit, nën të njëjtat akuza të paprovuara tregojnë se truri i këtij skenari nuk është qeveria shqiptare por administrata amerikane dhe se Tirana ka rënë viktimë e një skenari të krijuar nga Uashingtoni kundër Republikës Islamike të Iranit”, shprehet zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane.

Ndër të tjera, në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Republikës Islamike të Iranit përmenden edhe muxhahedinët e strehuar në Durrës, të cilët i konsideron “terroristë”.

Zëdhënësi i Ministrisë iraniane shtoi se Irani do të ndërmarrë çdo veprim me të drejtën ndërkombëtare, sikurse thekson, “për të mbrojtur veten nga skenari ogurzi”.