Politika “Do të telefonoj Edin”/ Ambasadori amerikan zbulon çfarë tha Vuçiç për sulmin...

“Do të telefonoj Edin”/ Ambasadori amerikan zbulon çfarë tha Vuçiç për sulmin kibernetik në Shqipëri

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Serbi, Christopher Hill ka zbuluar detaje nga momenti i reagimit të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, mbi lajmin e sulmit kibernetik ndaj Shqipërisë.

“Erdhi lajmi për një sulm kibernetik kundër Shqipërisë. Unë isha me një vizitor duke takuar presidentin Vuçiç dhe lajmi sapo kishte dalë. Vuçiç tha që duhet të marr në telefon Edin”, tha ambasadori Hill.

Ambasadori amerikan e bëri deklaratën gjatë Forumit Energjetik të Europës Juglindore, që u mbajt në Selanik. Hill e dha rastin, si shembull për tejkalimin e ndjenjës së mosbesimit midis liderëve rajonalë.

“Një instinkt i mirë dhe mendoj që duke vazhduar, duke mos u dekurajuar kur gjërat nuk ecin, duke mos u dekurajuar kur dikush nuk vjen sepse thotë që po krijon një Serbi të madhe apo një Shqipëri të madhe. Vetëm vazhdoni dhe në fund do t’i kapërceni problemet”, vazhdoi ai.

Ekspertët e sigurisë kibernetike, që i erdhën në ndihmë Shqipërisë pas sulmit, dolën në konkluzionin që agresioni erdhi nga Irani.