Irani ka vazhduar në rrugën e përshkallëzimit të konfliktit dhe i është kundërpërgjigjur SHBA-së për vrasjen e gjeneralit të forcave speciale, Kasem Soleimani, duke sulmuar me raketa balistike dy baza ushtarake amerikane në Irak.
Bazat në al-Asad dhe Erbil janë goditur dje në mbrëmje nga 22 raketa.
Autoritetet amerikane kanë thënë se nuk kanë patur viktima nga sulmi pasi ushtarët janë udhëzuar të strehohen përpara sulmit.
Pas sulmit ka reaguar presidenti Trump, i cili shkruan në Twitter se “çdo gjë është në rregull”. Ai shtoi se “SHBA ka ushtrinë më të fortë në botë”.
CNN ka raportuar, se ushtarët amerikanë të stacionuar në Irak kanë qenë të informuar për sulmet. Falë një sistemi të hershëm alarmi, ushtarët kishin kohë të largoheshin nga zona e rrezikut e të futeshin në bunkerë mbrojtës.
Edhe mediat perëndimore e kanë konsideruar sulmin si të proporcionuar dhe më shumë si një manovër për të shpëtuar fytyrën
Por udhëheqësit iranianë pretendojnë për një numër të lartë viktimash. Ndoshta për efekte propagandistike përmes televizionit shtetëror u njoftua se nga sulmi humbën jetën 80 “terroristë amerikanë”, ndonëse në ekran nuk u paraqitën prova për këtë.
Duke këmbëngulur se numri i viktimave në radhët e armikut ka shkuar në 80, liderët iranianë u zotuan sot se do t’i japin fund pranisë së SHBA në rajon, duke përshkruar sulmet raketore ndaj objektivave amerikane në Irak si “vetëmbrojtje”.
“Ne i goditëm ata (amerikanët) në fytyrë mbrëmë” me një sulm raketor “por veprimi ushtarak nuk është i mjaftueshëm”, tha udhëheqësi Suprem Ali Khamenei në një fjalim para kombit. Ai foli disa orë pas sulmit në bazat ushtarake në Irak të përdorura nga forcat amerikane.
Ndërkohë Presidenti iranian Hassan Rouhani tha se Uashingtoni mund të ketë “prerë krahun” e Soleimanit, por ata do të presin “këmbën” e Amerikës si kundërpërgjigje. “Ne do të presim këmbët e Shteteve të Bashkuara. Nëse Shtetet e Bashkuara kanë “prerë krahun” tonew, gjeneralin Qassem Soleimani, Irani do të përgjigjet duke prerë “këmbët” e tyre”, tha ai.