Motra e dy të dyshuarve si terroristë i ka dënuar publikisht sulmet në Katalunja, që lanë 15 të vdekur.
“Duam t’i themi fort dhe qartë, këtu në Ripoll: Jo terrorizmit, jo dhunës dhe po paqes”, tha e Hafida Oukabir, e cila nuk i mbajti dot lotët në shqiptimin e kësaj fjalie të thjeshtë.
Duhet të punojmë së bashku – shtoi ajo, – që gjëra të tilla të mos ndodhin më kurrë, por ngashërimat e detyruan të ndalonte.
Hafida foli në një tubim kundër dhunës në Ripoll, qyteti ku jetonin 8 prej të dyshuarve. Njëri prej të vëllezërve, Musa Oukabir u qëllua për vdekje nga policia në Cambrils, ndërsa tjetri, Dris ka dalë përpara gjykatës nën akuzat e anëtarësimit në një organizatë terroriste dhe vrasjes.
Një ditë më parë, qindra mijëra vetë marshuan në Barcelonë kundër dhunës së militantëve islamikë. Në krye të demonstruesve ishte vendosur Mbreti Felipe VI dhe kryeministri Mariano Rajoy.
Felipe u bë kështu i pari sovran i vendit që i bashkohet një tubimi, që prej rivendosjes së monarkisë në vitet 1970. Krah tij, në rreshtin e parë u ishin rezervuar vende edhe punonjësve të ndërhyrjes së shpejtë, e stafit të dyqaneve që ndihmuan viktimat gjatë sulmit në “Las Ramblas”.
Procesioni e nisi ecjen nën banderolën me mbishkrimin “Unë nuk kam frikë”. Ky ishte edhe slogani i tubimit, të zhvilluar në rrugët e qytetit të mbushur me flamuj katalanas, emblema e rajonit autonom, që digjet prej kohësh nga dëshira për pavarësi.
Disa protestues thirrën “Jashtë mbreti”, duke e shprehur edhe njëherë qartë pakënaqësinë e tyre. Katalunja, që për kryeqytet ka Barcelonën, pritet të mbajë në fillim të muajit tetor referendumin e pavarësisë së saj, që nuk pranohet kurrsesi nga Madridi zyrtar.