Prokuroria e Tiranës kërkoi këtë të mërkurë arrest shtëpie për 5 punonjës IT pranë Departamentit të Administratës Publike (DAP), për sulmin kibernetik të Iranit ndaj sistemeve tona shtetërore.
Ata janë Rudina Llagami, Albi Gjeka, Altin Sallaku, Alketa Sulo, Igli Lubonja. Të pestë akuzohen për shpërdorim detyre. Megjithatë gjykata vendosi që personat në fjalë t’i lërë në masën detyrim paraqitje.
Në një njoftim për mediat, organi i akuzës thotë se këta punonjës janë angazhuar në pozicionin IT pranë DAP gjatë të njëjtës kohë kur është implementuar dhe mirëmbajtur sistemi administrata.al.
“Në rastin konkret, stafi IT pranë DAP mund dhe duhej të kërkonte raportim nga ana e operatorit ekonomik të kontraktuar prej DAP për implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemit në kohë lidhur me gjendjen në të cilën ndodhej ky sistem, pavarësisht mungesës së dijenisë për mënyrën e zbatimit të kontratës për implementimin e sistemit administrata.al.
Prokuroria thotë se “në rast se këta punonjës, do të kishin vepruar në përputhje me urdhërimet e Rregullores së Sigurisë së Informacionit nr. 337/1 prot., datë 17.01.2022, dhe Rregullores së Brendshme të AKSHI-it duke kërkuar informacion dhe duke u azhornuar me antiviruset më të fundit të sistemit, atëherë do ishte zbuluar në sistemet e tyre virusi i cili ka hyrë fillimisht tek administrata.al në mënyrë që të bëhej e mundur neutralizimi i tij pa prekur sistemin e AKSHI-t”.
Për prokurorinë e Tiranës, personat në fjalë, të identifikuar nga vetë strukturat e AKSHI, me mosveprimet e tyre kanë sjellë pasoja të rënda dhe kanë konsumuar elementet e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.