Shqipëria dënon ashpër sulmin e Iranit kundër Izraelit. Është ky reagimi i kryeministrit Edi Rama në një postim në rrjetet sociale, sipas të cilit, ky sulm përbën një kërcënim për të destabilizuar rajonin në mënyrë të pakthyeshme.
“Shqipëria dënon ashpër sulmin e paprecedentë të nisur nga Irani kundër Izraelit, i cili përbën një kërcënim për të destabilizuar rajonin në mënyrë të pakthyeshme. Ne qëndrojmë në solidaritet me popullin izraelit dhe mbështesim plotësisht përpjekjet e partnerëve tanë drejt de-përshkallëzimit“.
Ai bëri thirrje për një armëpushim në Gaza dhe sigurimin për kthimin e pengjeve.
“Shqipëria mbron përmbajtjen dhe thekson nevojën kritike për një armëpushim në Gaza, duke u siguruar që të gjithë pengjet të mund të kthehen të sigurt në shtëpi”.
Më herët edhe ministri i Jashtëm Igli Hasani dënoi sulmin e Iranit mbi Izrael dhe u bëri thirrje shqiptarëve që të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale për sigurinë.
“Shqipëria dënon ashpër sulmin e Iranit ndaj Izraelit. Ky përshkallëzim është një kërcënim i rëndë për sigurinë e Izraelit dhe të gjithë rajonit. Rrezikon të sjellë paqëndrueshmëri dhe shkatërrim më të madh në të gjithë Lindjen e Mesme. Këshillojmë shqiptarët në këtë rajon, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale për përditësimet e sigurisë publike dhe të kontaktojnë ambasadat tona për ndihmë”, u shpreh Hasani.
Irani lëshoi qindra dronë dhe raketa mbi shtetin e Izraelit për herë të parë në një sulmi të drejtpërdrejtë, i cili ishte paralajmëruar nga Irani disa ditë më parë, si një hakmarrje ndaj goditjes së konsullatës Iraniane në Damask, në të cilën mbeti i vrarë edhe një gjeneral i rëndësishëm i Gardës Revolucionare të Iranit.