Irani goditi dhe rrëzoi një avion amerikan pa pilot të enjten në një incident, që zyrtarët iranianë thanë se ndodhi mbi territorin e vendit. Por zyrtarët amerikanë thanë se incidenti ndodhi në hapësirën ajrore ndërkombëtare.
Sipas Iranit, droni i tipit RQ-4 Global Hawk u rrëzua nga Garda Revolucionare paraushtarake në hapësirën ajrore të provincës jugore të Hormozganit në afërsi të Ngushticës së Hormuzit.
Një zyrtar amerikan e identifikoi avionin si një Triton MQ-4C që po fluturonte mbi Ngushticën e Hormuzit.
Zëdhënësi i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara, Bill Urban, i tha Zërit të Amerikës se “asnjë avion amerikan nuk po operonte sot në hapësirën ajrore iraniane”.
Ai nuk pranoi të komentojë më tej për incidentin.
Ushtria amerikane tha se Irani u përpoq të qëllonte një dron amerikan javën e kaluar dhe tensionet mes të dy vendeve u rritën me sulmet kundër anijeve çisternë në rajon për të cilat Shtetet e Bashkuara fajësojnë Iranin, por që Irani i mohon.
Marrëdhëniet janë përkeqësuar që kur Presidenti Donald Trump u tërhoq vitin e kaluar nga marrëveshja ndërkombëtare që kufizoi programin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Rrëzimi i dronit shënon sulmin e parë të drejtpërdrejt të Iranit ndaj Shteteve të Bashkuara gjatë krizës.
“Ne nuk kemi ndonjë synim për luftë me asnjë vend, por jemi plotësisht të përgatitur për luftë,” tha komandanti i Gardës Revolucionare Hossein Salami në një fjalim në televizion.
Duke folur para një grumbulli njerëzish në qytetin perendimor të Sanandajit, Salami tha se droni amerikan “shkeli sigurinë tonë kombëtare kufitare”.
“Kufijtë janë vija jonë e kuqe,” tha Salami. “Çdo armik që shkel kufijtë do të asgjësohet”.
Sanksionet e reja amerikane kanë dëmtuar ekonominë e Iranit dhe Teherani ka njoftuar rritjen e prodhimit të uraniumit të pasuruar, ndërsa kërkon ndihmë nga vendet evropiane për të shmangur sanksionet amerikane.