Zv/kryeministrja Belinda Balluku dhe deputeti i PD-së, Ervin Salianji janë përfshirë në debate të forta në lidhje me sulmin kibernetik. Salianji u shpreh se Shqipëria ka dështuar në këtë rast. Ndërkohë, Balluku u shpreh se nuk është zhdukur asnjë e dhënë nga sulmi. Ajo kërkoi nga opozita që të mos e përdorë këtë moment për abuzime dhe goditje negative.
Replikat e plota:
Ervin Salianji: Së pari më vjen mirë që zëvendëskryeministrja përgënjeshtron në publik, në këtë foltore kryeministrin. Në datën 18, vetëm 3 ditë pas sulmit që tha zonja zëvendëskryeministre, Rama ka thënë: Kundërofensiva e AKSH-it në përballjen e agresionit kibernetik mbi Shqipërinë po rezulton e qëndrueshme dhe e suksesshme. Agresori nuk ka arritur të shemb sistemin e mbrojtjes thotë Rama. Në datë 23 korrik, vazhdon: Lajmi mirë se agresori është zmbrapsur me sukses nga skuadra shqiptaro-amerikane, asnjë e dhënë nuk është fshirë se shërbimet publike janë kthyer në punë vazhdon operacioni. Vazhdojmë në 11 Shtator po Rama: Sistemet e pikave kufitare janë në punë prej mëngjesit të sotëm etj., nuk ka arritur agresori të ketë asnjë zhdukje të dhënash, vazhdojmë po ashtu në 10 shtator, e mbron Rama, në 17 Shtator… pra gjatë gjithë kohës kryeministri nuk e ka pranuar që thoni ju, agresioni kaq i madh i Shqipërisë të ketë ndodhur dhe të ketë dështuar. Së pari edhe kur ju ofrohet që çfarë kërkoni nga opozita, ju nuk e thoni se çfarë, ja ku jemi, çfarë kërkoni nga opozita? Së dyti ne po kërkojmë që të mbajmë përgjegjës, edhe ky zotëria që mashtron që nuk ka ndodhur sulmi edhe ata që kanë qenë përgjegjës do ua u sjell edhe zyrtarisht me shkrim pyetjet që kam për këtë çështje, të cilat qëndrojnë. Së treti padiskutim zonja Balluku agresioni është ndaj gjithë vendeve të NATO-s dhe të tjera në rajon, Kosova së fundmi, por ata e kanë përballuar, i vetmi shtet që ka dështuar është Shqipëria dhe kur thoni jemi në sulm gjithë shtetet, vetëm Estonia në vitin 2007, 15 vjet përpara kur nuk jemi në këto nivele, ka pasur një sulm edhe nuk ka mundur t’i marri të dhënat, ka pasur vetëm dëmtim të të dhënave. Asnjë shteti tjetër nuk i ka rënë pantallonat siç i kanë rënë Shqipërisë, për shkak se Shqipëria përpiqet që ta mbulojë me propagandë dhe nuk merret me sulmin dhe agresionin që ka ndodhur. Për pikat e tjera që ju thoni nuk ka nevojë të lexohet raporti i FBI-së atë e lexon cilido në publik edhe raporti i Microsoftit se nga ato i kemi të dhënat. Nuk ka bërë qeveria sot as transparencë as nuk ka publikuar gjë. Sulmi i organizuar nuk mbahet dot me përgjigje të dështuara, jo përgjigje në publik po dhe përgjigje aty, do kemi edhe e bëjmë si diskutim.
Belinda Balluku: Për sa i përket referencave tuaja i jeni referuar të gjitha herët kryeministrit duke thënë që ka thënë që nuk janë zhdukur të dhënat sensitive. Asnjë e dhënë nuk është zhdukur. Sulmi që ka pasur si synim, referohu meqë flet për programet dhe për raportet e FBI dhe DART Microsoft, ju lutem t’i referoheni saktë sepse transparencë nuk doni. Dua që t’ju lexoj raportin, nuk e dëshironi, pavarësisht se ky ishte synimi kryesor i kërkesës suaj nuk lejuat që të lexohej raporti. Meqenëse nuk doni që të lexohet raporti, të paktën duhet të keni parasysh që asnjë e dhënë sensitive apo jo sensitive, nuk është zhdukur nga sistemi, këtë ka thënë kryeministri. Siç ju jeni në dijeni, tashmë duke lexuar raportet që janë bërë publike, pra që ne jemi totalisht transparentë, ju e dini shumë mirë që ky sulm ka pasur si synim fshirjen totale të të dhënave dhe nuk ia kanë dalë. Kjo tregon, fakti që sulmi i quajtur “Zero Clear Wipe Out”, fakti që sot të gjitha të dhënat vazhdojnë dhe janë dhe sistemet funksionojnë, tregojnë që pavarësisht një investimi shumë të madh nga shteti agresor, pavarësisht 4 grupeve të cilat kanë punuar në mënyrë të paepur për muaj të tërë, nuk ia kanë dalë që të fshijnë sistemet tona dhe sistemet tona janë operative. Çfarë kërkojmë nga opozita: E para, kërkojmë që opozita të mos përdorë këtë momentum të rëndësishëm ku Shqipëria është nën një sulm kibernetik që quhet luftë, se kjo është lufta në kohët e sotme, opozita mos ta përdorë këtë për abuzime dhe goditje negative. E dyta, kërkojmë që në bashkëpunime me opozitën, që sot për herë të parë na u ofrua, të kemi mundësi që të rishikojmë disa nga aktet ligjore për sa i përket mbrojtjes kibernetike. Kjo është shumë e rëndësishme, ne së shpejti do të vijmë në komisionet parlamentare dhe atë që zoti Salianji tha, do dëshironim ta shikonim në realitet. E treta dhe shumë e rëndësishme, është që lejoni të bëhet transparenca pasi kërkoni që të bëhet sepse dhe e kërkoni dhe kur ne dalim për të bërë transparencë, ju e kërkoni dhe pastaj e ndërprisni sepse praktikisht ju nuk doni që të ndodhë kjo, ju doni të përfitoni nga një situatë. Kjo nuk është një situatë e dosidoshme. Kjo është një situatë ku shteti shqiptar, çdo shqiptar i djathtë, i majtë, i qendrës apo i pa parti, është në një moment shumë të vështirë. Shqipëria është nën një sulm agresiv të një shteti i cili ka edhe mundësitë financiare, edhe kapacitetet teknologjike për të bërë shumë keq. E ka bërë me të tjerë para nesh, ndaj merreni seriozisht këtë gjë dhe ky nuk është kali juaj i betejës. Ky është momenti për t’u bërë të gjithë bashkë dhe për të mbrojtur Shqipërinë.
Ervin Salianji: Nuk ka replikë mbi replikë, rregullorja njeh barazinë mbi këtë.
Lindita Nikolla: Po pra, e kërkuat për procedurë.
Ervin Salianji: Për procedurë është kjo, procedurë është, po ju kërkoj që nuk mund t’i jepni pavarësisht pozicionit, të drejtën e replikës mbi replikë dhe shumë shkurt, po ju them që atë që thotë zëvendëskryeministrja, edhe njëherë e ka keqinformim si rasti i Zvicrës që besoj se nuk e bën me qëllim. Asnjë zhdukje dhe rrjedhje të dhënash thotë kryeministri, nuk thotë shkatërrim. Prokuroria ndërkohë ka dalë me komunikim publik që mos të publikohen ato që kanë rrjedhur. Pra kemi rrjedhje. Së dyti, zonja zëvendëskryeministre, drejtoresha në varësinë tuaj, atë që po jua kërkojmë ne sot, jua ka kërkuar para një muaji, e keni në faqen e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit ku thotë duhet hetim i plotë për ngjarjen. Ne këtë po kërkojmë sot, nuk po kërkojmë a ka përgjegjës apo jo. Nuk ka dështuar Shqipëria jo, ka dështuar qeveria i kanë rënë pantallonat në fund të këmbëve se paratë e 195 milionë Eurove i kanë shkuar aty.
Belinda Balluku: Për sa i përket Zvicrës, zoti Salianji, unë i referohem “Daily Mail” të cilën do ta dërgoj tani ty në WhatsApp, do ta nxjerr edhe në faqen time që ta shikojnë edhe të tjerët, kështu që këto abuzimet që jeni mësuar për të bërë, faktikisht në ditët e sotme, në kushtet e krizës energjetike, çdo budallallëk i thënë nga ana juaj ne na shërben sepse është reklamë. Kështu që për sa kohë është e mundur që të vërtetohet, ne kemi artikujt e “Daily Mail”, kështu që i duhet shtetit zviceran të hedhë në gjyq “Daily Mail” apo të gjitha gazetat e tjera të cilat unë do t’i dërgoj ty që t’i kesh, jo se nuk i di. Ti i di se nuk je kaq i paditur, por që t’i kesh. Ndërkohë shteti zviceran në qoftë se është prekur, duhet të hedhë në gjyq “Daily Mail” dhe mos ta lejojë më që të thotë gjëra të tilla. Për shembull, dje kemi parë në të gjithë ekranet se çfarë thotë ministrja e Mjedisit, që duhet të lahen njerëzit bashkë, etj etj, tani kjo mund të jetë një gënjeshtër tjetër por që ne e kemi parë në ekranet më prestigjioze, e ka dhënë “CNN”, “BBC”. Ne i referohemi burimeve prestigjioze, i dashur koleg. Tani, për sa i përket, po themi dy gjëra, ti thua ti më dëgjon, por ama ti përgjigjesh ndryshe, por me mua nuk e bën dot mirë këtë sepse unë e kam këtë këmbënguljen deri në fund. Unë them dhe e përsëris me përgjegjësi të plotë, lexoni raportet. Sulmi, është i titulluar “Zero Clear Wipe Out” dhe ka pasur si synim fshirjen e çdo të dhëne në sistemet e RSH dhe asnjë e dhënë nuk është humbur, back up-et kanë funksionuar të gjitha. Për sa i përket mbrojtjes të sigurisë kibernetike, siç ju thashë është një mësim i nxjerrë që tregon se ne të gjithë së bashku duhet të rishikojmë legjislacionin sa i përket këtij sektori dhe duhet të ketë investime të rëndësishme për të krijuar një mbrojtje që Shqipëria s’ka qenë e përgatitur pasi nuk kemi qenë ndonjëherë objekt i sulmeve të përgatitura të organizuara dhe të sponsorizuara nga shtete të tjera.