Sulmet verbale ndaj arbitrit anglez Anthony Taylor në fushën e blertë të “Puskas Arena” pasi Roma e tij humbi finalen e Europa League përballë Sevilla, do t’i kushtojnë shtrenjtë teknikut portugez Jose Mourinho.
Krerët e futbollit europian në Nion njoftuan një listë të madhe akuzash kundër Mourinhos, të cila lidhen me gjuhën e përdorur në konferencën për shtyp pas ndeshjes por edhe fyerjet në parkingun e ‘Puskas Arena’, që me siguri do të sjellin dënim të rëndë.
Portugezi akuzohet për përdorimin e “gjuhës fyese dhe/ose sharjeve ndaj një zyrtari të ndeshjes“.
Kjo pasi tekniku i Romës la të kuptohet se Taylor dhe kolegët e tij, përfshirë edhe gjyqtarin e katërt Michael Oliver i ishin “dukur si spanjollë” gjatë lojës, çka favorizoi sipas tij fitoren e Sevilla-s.
Mourinho pritet të përballet me pezullim për disa ndeshje, çka do t’a mbante atë larg stolit të verdhekuqëve në fazën e grupeve të Europa League në sezonin e ardhshëm.
Mbi klubin e Romës rëndojnë gjithashtu katër akuza në lidhje me sjelljen e tifozëve të tyre e cila degjeneroi në hedhjen e objekteve, ndezjen e fishekzjarreve, dëmtimin e stadiumit dhe fyerje.
Edhe në drejtim të Sevilla ka tre akuza të lidhura me tifozët, për hedhje objektesh, fishekzjarrë dhe pushtim të fushës së lojës.
Të gjitha akuzat i janë referuar tani Trupit të Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës të UEFA-s për të përcaktuar dënimet.