Sulmet ndaj rafinerive saudite të naftës përshkallëzojnë më tej tensionet mes SHBA dhe Iranit. SHBA ka publikuar edhe provat që fajësojnë Iranin
Shtetet e Bashkuara publikuan imazhe satelitore dhe cituan shërbimet sekrete për të mbështetur pretendimin se Irani qëndron pas sulmeve me dron kundër rafinerive saudite të naftës.
Irani mohon përfshirjen në sulmet ajrore të së shtunës, që u morën përsipër nga rebelët huthi në Jemen, të lidhur me Iranin. Por, sipas zyrtarëve amerikanë të cituar nga mediat amerikane dhe ndërkombëtare, orientimi dhe shtrirja e sulmeve hedh dyshime mbi përfshirjen e rebelëve huthi.
Një imazh i afruar i cisternave të dëmtuara në rafinerinë e Abqaiq, duket se tregon një prej pikave të impaktit në anën perëndimore, nga gjendet Irani dhe Iraku.
Samantha Vinograd, analiste e CNN për sigurinë kombëtare, tha: “Me shumë gjasë Irani qëndron pas këtyre sulmeve. Nëse kjo do të konfirmohet, situata do të përshkallëzonte ndjeshëm”.
Sulmi reduktoi me 5% furnizimet me naftë, ndërsa çmimet pësuan një rritje të konsiderueshme. Presidenti amerikan sugjeroi aksion të mundshëm ushtarak pasi autori të konfirmohej. Donald Trump tha: “Furnizimet me naftë të Arabisë Saudite u sulmuan. Ka arsye të besojmë se e njohim fajtorin. Shtetet e Bashkuara po punojnë intensivisht për të konfirmuar autorët e sulmit, por do të presim edhe prononcimin e Arabisë Saudite për të përcaktuar mënyrën e veprimit”.
Rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani, thonë se kishin përdorur 10 dronë për të kryer sulmet, por Sekretari Amerikan i Shtetit e mohon pretendimin. Sipas tij, nuk ka prova që sulmet të kenë ardhur nga Jemeni.
Kundërpërgjigjet Irani
Ministria e Jashtme e Teheranit mohoi kategorikisht autorësinë dhe konfirmoi se presidenti Hasan Ruhani nuk do ta takonte kreun e Shtëpisë së Bardhë në asamblenë e përgjithshme të OKB-së, gjatë këtij muaji.
“Në i refuzojmë këto lloj deklaratash. Republika Islamike e Iranit ka mbështetur haptazi popullin e Jemenit dhe të drejtat e tij. Por duke na akuzuar për këto sulme, Shtetet e Bashkuara i qëndrojnë besnik politikës false të cilën e kanë përqafuar pas dështimeve të tyre. Takimi mes dy presidentëve nuk është në agjendën e Republikës Islamike të Iranit dhe nuk do të ndodhë”, thuhet në deklaratën e ministrisë iraniane.
Gjithsesi, diplomacia iraniane shton se “kemi deklaruar më parë se nëse Shtetet e Bashkuara heqin dorë nga terrorizmi ekonomik dhe presionet, dhe nëse i kthehen ujdisë bërthamore do të jenë të ftuar në një samit ku marrin pjesë të gjitha vendet që kanë firmosur marrëveshjen nukleare”.