Pas sulmit vetëvrasës të së enjtes në aeroportin e Kabulit, hakmarrja amerikane nuk vonoi. Ushtria amerikane vrau në një sulm me dronë, disa militantë degës së Shtetit Islamik për rajonin e Korasanit, siç e quajnë ata zonën e Azisë Qendrore dhe Jugore, të dyshuar si organizatorë të sulmeve ku sipas shifrave të përditësuara, humbën jetën 169 afganë dhe 13 ushtarë amerikanë.
Sulmi i dronëve amerikanë ndodhi në provincën Nangarar, në kufirin me Pakistanin, e konsideruar si një prej bastioneve të xhihadistëve.
Por hakmarrja e paralajmëruar edhe nga presidenti amerikan Joe Biden ka shtuar alarmin nga shërbimet perëndimore të zbulimit për të tjera sulme terroriste që mund të godasin Kabulin në ditët e fundit të evakuimeve.
Shtetet e Bashkuara mbeten tashmë i vetmi vend mes aleatëve të NATO-s që vazhdon evakuimin e civilëve, teksa Britania e Madhe, Gjermania, Franca e Italia u dhanë fund fluturimeve për refugjatët afganë. Zyrtarë nga këto vende thanë se operacionet e fundit deri më 31 gusht do të përqendrohen tek tërheqja e stafeve të mbetura diplomatike dhe e mjeteve logjistike ushtarake.