Njësia policore e Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit (SPMK) Zubin Potok, është sulmuar me armë zjarri në Liqenin e Ujmanit, në veri të Kosovës.
Njësia policore ka njoftuar se në drejtim të tyre ka pasur të shtëna me armë. Sipas policisë, kanë qenë afërsisht 10 të shtëna me armë zjarri, shkruan KosovaPress.
“Të shtënat kanë qenë të njëpasnjëshme, nga pjesa tjetër e liqenit dhe kanë goditur afër barkës së policisë. Nga këto të shtëna nuk ka persona të lënduar”, njoftoi policia.
Në asistencë të njësisë policore ka shkuar Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Policisë Kufitare.
Komunat në veri të Kosovës, si Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, janë të banuara me shumicë serbe.
Ngjarja vjen vetëm disa ditë pas tensioneve të shënuara në Veri të Kosovës për shkak të vendimit për zbatimin e reciprocitetit të targave dhe letërnjoftimeve për serbët e veriut.
Këta të fundit bllokuan rrugët në shenjë proteste duke përdorur mjete të tonazhit të rëndë.