Sistemi i Menaxhimit të të dhënave, i njohur si sistemi TIMS ka rënë të premten pasdite pre e një sulmi kibernetik, që krijoi kaos në pikat kufitare për regjistrimin e shtetasve në hyrje dhe dalje.
Kryeministri Edi Rama në një postim në Twitter konfirmoi sulmin dhe tha se përgjegjës është i njëjti agresor që sulmoi sistemet online më 15 Korrik, Republika Islamike e Iranit.
“Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS! Ndërkohë vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t’i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale”, tha Rama.
Drejtoria e Krimit Kibernetik është përfshirë në hetimet që po kryhen prej mbrëmjes së djeshme, teksa një grup ekspertësh ka punuar për të rikthyer sistemin. Bashkë me të po heton edhe Anti-Terrori.
Fillimisht janë raportuar vështirësi në Pikën Kufitare të Kakavijës, aty ku situata është normalizuar disi, por jo plotësisht. Më pas sulmi ka prekur Pikën Kufitare te Kapshticës, ku regjistrimi vijon të bëhet manualisht.
Por hakerat iranianë nuk janë mjaftuar më kaq, ata kanë publikuar edhe video të kamerave të sigurisë së Policisë së Shtetit.
Ministria e Brendshme e ka pranuar zyrtarisht se sistemet e Policisë së Shtetit janë nën sulm kibernetik.
Sulmi vjen dy ditë pasi Qeveria Shqiptare ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me shtetin e Iranit duke dëbuar përfaqësinë diplomatike që ndodhej në Shqipëri, si përgjigje ndaj sulmit kibernetik.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përshëndetur vendimin, ndërsa në operacionin për hetimin e sulmit dhe për mbrojtjen e sistemeve online është përfshirë edhe gjigandi Microsoft dhe ekspertë të vendeve partnere.