Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha hodhi akuza në drejtim të mazhorancës se superkomisioni anti-korrupsion i propozuar nga mazhoranca socialiste, nuk po bëhet për të mbrojtur punën e SPAK.
Nga Foltorja e Kuvendit, Basha kërkoi llogari nga kryetarja Lindita Nikolla, se përse Parlamenti nuk po merr parasysh amendamentet e PD-së për të ndihmuar SPAK-un financiarisht me burime njerëzore apo edhe për vettingun e politikanëve.
“Procedura është që sot sillni në këtë sallë një propozim për një komision që siç dihet fare mirë krijohet kur do të varrosësh një ide të mirë apo do të mos bësh asgjë. Zonja kryetare e Kuvendit, prej më shumë se një muaji në Kuvend janë depozituar amendamentet e PD-së për të ndihmuar SPAK-un financiarisht me burime njerëzore dhe me amendimet e kodit të procedurës penale. Pse refuzoni të paktën ta sillni për diskutim? Çfarë ju shtyn të mbani për më shumë se gjashtë muaj e gjysmë larg transparencës, larg debatit parlamentar, larg votimit në parlament, propozimin tonë për barazinë e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë para ligjit përmes heqjes së imunitetit parlamentar? Pse bëni sikur nuk e shikoni propozimin tonë, ligjin për vetingun e politikanëve që ka që në 15 Nëntor në Kuvend”, tha Basha.
Në mungesë të kryeministrit Edi Rama, përgjigjen ia dha ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali.
“Keni një paqartësi historike zoti Basha edhe kronike, sepse nuk ju përputhet asnjëherë ajo që thoni me atë që bëni. Ju thoni me fjalë që e mbështesni reformën në drejtësi, por kur atëherë kur nuk ishit ca pak deputetë, të katandisur si një grup i vogël si pakicë e pakicës, dhe kur ishit në krye të asaj partie, ju braktisët zgjedhjet dhe u braktisët Kuvendin për të mos votuar ligjet që rridhnin nga reforma në drejtësi. Ju flisni për vetingun e politikanëve dhe heqjen e imunitetit kur vetë keni dëshmuar atëherë kur ju ishit në kalë, se sot nuk keni ç’dëshmoni se sot mund të propozoni gjithçka me lehtësinë e njeriut që nuk ka asgjë në dorë, por atëherë kur i kishit ju vetë keni shpëtuar me procedurë nga hetimet e gjykimet. Nuk i kishit në dorë ju, i kishte babai juaj politik, por patjetër ju ishit dakord jo vetëm për fatin tuaj, por edhe mazhorancës suaj që mbrohej me gardianët e drejtësisë së vjetër të cilën e kishit në kontroll. Vetingu në politik po bëhet nga SPAK sepse SPAK-u heton politikanët dhe është pikërisht SPAK-u që ne e kemi lënë të lirë, i kemi çliruar duart dhe e kemi nxjerrë nga kontrolli politik pikërisht për të bërë atë, për të hequr edhe imunitetet kur duhet. Për të hetuar, për të çuar në gjykatë e për të dënuar siç po ndodh sot e gjithë ditën e siç nuk ndodhte asnjëherë kur ju ishit kaluar e pak më i ri se sot”, tha Spiropali.