Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla reagoi gjatë konferencës për shtyp, ku shpalli dy grupet terroriste serbe në veri, edhe për çështjen e ndalimit nga policia të djalit të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Sipas ministrit, djali i Vuçiç hyri në Kosovë si çdo qytetar i zakonshëm dhe u ndalua vetëm pasi veshi një bluzë me mesazhe nacionaliste, për të cilën policia i kërkoi që ta hiqte.
Sveçla gjithashtu rrëzoi pretendimet e Vuçiç se djali i tij ishte ndaluar 3 herë gjatë përkujtimit të Vidovdanit, duke e cilësuar atë një gënjeshtar kronik.
“Për djalin e Vuçiçit, ai në Kosovë ka hyrë si qytetar i rëndomtë. Edhe sipas marrëveshjes së Brukselit dhe praktikave deri tash për hyrjen e qytetarëve të rëndomtë nuk ka procedura të veçanta. Ai u shfaq në Graçanicë me atë bluzë, dhe policia ka marrë vendim që ta ndalin dhe kontrollojnë vetura që janë sjellur në mënyrë të çuditshme. Atij i është kërkuar, që është realizuar, heqja e bluzës me mesazh provokativ. Ata janë larguar për Serbi. Ne e dimë që Vuçiç ka qenë ministër i propagandës në qeverinë e Millosheviqit, por që është gënjeshtar kronik po na e dëshmon çdo ditë. Djali i tij nuk është ndalur tri herë, por vetëm një herë”, tha Sveçla.